Gjykimi ndaj të akuzuarve per planifikimin e sulmeve terroriste - FOTO KALLXO

Gjykimi për terrorizëm - Kënga për xhihad e të akuzuarit lëshohet në Gjykatë

Në gjykimin për terrorizëm ndaj gjashtë personave të cilët po akuzohen se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë u dëgjuan video-incizimet e propozuara nga Prokuroria Speciale.

Në këto incizime i akuzuari për terrorizëm Resim Kastrati dëgjohej tek këndonte për luftën në Siri.

“Jam mërzit du me dal, me shku nsham, xhihad me bo, me shku nsham, xhihad me bo, me luftu për Allah”, ishte kënga të cilën dëgjohej tek e këndonte i akuzuari Resim Kastrati i njohur me nofkën ‘Pc Habibi’.

Në një përgjim tjetër ‘PC Habibi’ dëgjohej tek thoshte se kishte gjithë kompjuterin e mbushur me video të trajnimeve për xhihad.

“E keni marrë shumë ngat zemre, bana çka bana unë përcillna, vazhdimisht përcillna, full video xhihadit e kam kompjuterin. Nuk merrna me sene tjera, full e kam trajnime për xhihad. Qysh mi montu e ç`montu armën, krejt i kom në kompjuter”, dëgjohej gjatë një bashkëbisedimi Resim Kastrati.

Prokuroria Speciale po pretendon se Resim Kastrati ishte personi përgjegjës i grupit prej gjashtë personave për furnizimin me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë.

Ai së bashku me Bujar Behramin akuzohen se që nga dhjetori i vitit 2017 e deri më 29 qershor të vitit 2018 kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bashkë me këta të akuzuar janë edhe Gramos Shabani, Edona Haliti, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Sipas Prokurorisë ky grup i përbërë prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në Kishën Ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Prokuroria akuzon Gramos Shabanin se ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës, ndërsa bashkëshorten e tij Edona Haliti e akuzon se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se dhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Rasim Kastrati janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese

Të gjitha raportimet në lidhje me ketë rast mund ti gjeni në këtë link.