Gjykimi për tentim vrasjen në qendër të Prishtinës

Në gjykimin ndaj Remzi Beqirit, i cili po akuzohet se kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Nuhi Sopa, në një lokal në Prishtinë, mbrojtja deklaroi se në mungesë të provave i akuzuari duhet do lirohet nga akzua.

I akuzuari Beqiri në shqyrtimin fillestar nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale vrasje në tentativë, dhe veprën penale armëmbajtje pa leje.

Por prokurori Armend Hamiti tha se me provat që gjenden në shkresat e lëndës do të vërtetohet se i akuzuari Beqiri, ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësorë lidhur me aktakuzën e paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kundër Remzi Beqirit, pas dëgjimit të dëmtuarit Nuhi Sopa, dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve Liridon Sallova dhe Gramos Sherifi, si dhe administrimit të provave që gjenden në shkresat e lëndës do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë”, tha prokurori Hamiti.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Adelina Hoxha- Shabani tha se në mungesë të provave klienti i saj do lirohet nga akuza.

“Sot jemi këtu për të vazhduar me një aktakuzë e cila është mbështetur në dëshmitë e dëshmitarëve të cilët nuk e mbështesin kauzën e akuzës dhe që nuk kanë pohuar se i akuzuari ka kryer veprat penale të cilat i vihen ne barrë. Këta dy dëshmitar të propozuar nga prokuroria në të gjitha fazat paraprake kanë përshkuar një gjendje të ndodhur sipas datës në aktakuzë por e cila nuk është kryer nga veprimet e të akuzuarit. Kjo aktakuzë është mbështetur edhe nga një video incizim nga shikimi i të cilit nuk është vërejtur se ka qenë i akuzuari, jemi me fat qe aktakuza është mbështetur në prova”, tha avokatja Shabani.

Tutje ajo kërkoi që ky shqyrtim gjyqësor mos të përfundojë pa u dëgjuar pala e dëmtuar Nuhi Sopi.

“Neve na mbetet që shqyrtimi mos të përfundojë pa dëgjimin e palës së dëmtuar palë e cila ka pas motivin e tij për ta involvuar të akuzuarin në këtë çështje dhe këtë motiv prokuroria nuk ka arrit ta nxjerr gjatë procedurës së hetimeve. Pas analizimit të shkresave të lëndës ne shprehim bindje se i akuzuari do shpallet i pa fajshëm në mungesë të provave”, u shpreh ajo.

Me pas prokurori Hamiti kërkoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër meqenëse këtë lëndë e përfaqësoi vetëm në mungesë të prokurorit të cështjes Ilaz Beqirit.

Poashtu edhe mbrojtja e të akuzuarit kërkoi edhe një herë nga gjykata që të bëhet përpjekje të sigurohet i dëmtuari në këtë çështje penale.

Por kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim e banimit të dëmtuarit Nuhi Sopa, mirëpo stacioni policor më pas i kishte njoftuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Me pas trupi gjykues aprovoi propozimet e palëve dhe seancën e radhës e caktoi me datën 2 korrik.

Sipas aktakuzës më 21 mars 2018 në kafenenë “01-PR” e cila gjendet në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë i akuzuari Ramiz Beqiri për shkak të një konflikti të mëhershëm që kishte pasur më të dëmtuarin Nuhi Sopa, kishte tentuar ta privojë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se derisa i dëmtuari Sopa kishte qenë në kafene, aty kishte hyrë i akuzuari Beqiri së bashku me vëllain e tij Labinot Beqirin dhe me disa persona të tjerë dhe kishte filluar ta shajë dhe të bërtas, duke iu drejtuar të dëmtuarit me fjalët “ku je m…p”, e më pas kishte shtënë tri herë në drejtim të tij.

Tutje në aktakuzë thuhet se nga këto të shtëna një predhë e kishte goditur të dëmtuarin Sopa, ndërsa i akuzuari Beqiri ishte larguar në drejtim të panjohur.

Beqiri akuzohet nga prokuroria për veprat penale, vrasje në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.