Gjykimi për tenderët e ndërtimit të shkollave, dëshmojnë operatorët ekonomikë

Në gjykimin ndaj Hasim Vishesella, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan Sabri Bajrami dhe Ali Stublla.

Hasim Vishesella akuzohet nga ana e prokurorisë në cilësinë e personit zyrtar, shef i zyrës së planifikimit në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Lipjanit.

Sipas prokurorisë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autoritetin zyrtar Vishesella ka vepruar në kundërshtim me kushtet e kontratës të lidhur në mes të Komunës dhe Operatorit Ekonomik  “Stublla” me titull “Ndërtimi i shkollës në fshatin Banullë”  sh.p.k dhe operatorit ekonomik NTP “Te Muhameti” me titull “Ndërtimi i shkollës në fshatin Kraishtë” duke nënshkruar situacione për punë të pa përfunduara  ( për të cilat punë  asnjëherë nuk është bërë pranimi teknik).

Si pasojë e kësaj, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Teknologjisë janë bërë pagesat operatorit ekonomik “Stublla” sh.p.k, për punë të pa realizuara, me ç ‘rast buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm në vlerë prej 44.436.85 euro, dhe pagesat e bërë për operatorin ekonomik NTP “Te Muhameti”  për punë të pa realizuara, me ç ‘rast buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 24.902.37 euro.

Në pyetjet e parashtruara nga ana e prokurorit të shtetit Rafet Halimi, dëshmitari Sabri Bajrami deklaroi se ka qenë   pronar i kompanisë së ndërtimit për kontratën e lidhur ne mes tij dhe komunës se Lipjanit dhe plani dinamik për përfundimin e punimeve ne shkollën fillore në Fshatin Kraishtë ka qenë 190 ditë.

Ai theksoi se gjatë punimeve kanë pasur probleme për shkak të mjeteve të punës ka pasur edhe anulim të planit dinamik.

“Kemi pasur me përfundu edhe një hyrje shtese të shkollës po kemi hasur ne pengesën e shkollës se vjetër e cila ishte e pa rrënuar.Gjitha këto probleme kanë ndodhur kur është ndërruar pushteti. Dhe në fund të vitit na ka thirrur zyra e prokurimit për me na bërë pagesën dhe aty ka qenë edhe tani i akuzuari Hasim Vishesella”, tha dëshmitari.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi e pyeti se sa para i ka marrë për punë të pa kryera, me ç’rast dëshmitari theksoi se nuk i kujtohet sa para i ka pranuar në emër të punimeve të pa realizuara.

“Veq muj me rrejt, nuk më kujtohet” tha dëshmitari Sabri Bajrami.

Dëshminë e tij e dha edhe Ali Stublla i cili deklaroi se me Komunën e Lipjanit ka pasur shumë kontrata ne mes tyre edhe për ndërtimin e shkollës në fshatin Banullë.

“Afati për përfundimin e punimeve ka qenë 280 ditë pune, në lidhje me përfundimin e punëve kemi dëshmuar në ditarin e punës dhe librin e ndërtimit, dhe punimet janë ndërprerë kohë pas kohe, për arsyes se nuk ka pas mjete buxhetore për të cilën kemi edhe dëshmi.Verifikimin e punëve të kryera e ka bërë menaxheri i projektit e që në rastin konkret është Hasim Vishasella”, tha Stublla.

Ai gjithashtu theksoi se Komuna e Lipjanit i ka ndërprerë punimet për shkak të mungesës së mjeteve dhe këto probleme i kanë përcjellë gjithë vitet si në pushtetin paraprak ashtu edhe në atë vijues ku ka rezultuar se kanë lidhur kontratë për punimet shkollore edhe pse paraprakisht nuk janë siguruar mjetet për pagesë.

Dëshmitari tha se pranimi teknik i shkollës nuk është bërë, ashtu që është shkelur kontrata nuk është ftuar menaxheri i projektit Hasim Vishasela, nuk është respektuar pika 5 e kontratës që përcakton prezencën e palëve përkatësisht formimin  e komisionit.

Avokati Shpëtim Sadiku  e pyeti  dëshmitarin pse nuk është bërë mospranimi teknik i objektit te shkollës.

Dëshmitari deklaroi se  mospranimi teknik  i objektit te shkollës është bërë për shkak  të veprimeve te Komunës se Lipjanit, e jo per arsye ata nuk i kanë perfunduar punimet, sepse punimet ishin përfunduar para një viti.

Në pyetjet e Kryetarit të trupit gjykues gjyqtarit Hamdi Ibrahimi, dëshmitari deklaron se asnjëherë nuk ka pranuar mjete perkatësisht nuk është kryerje asnjë pagës për punimet qe si ka kryer.

“Ne kemi prova se në vazhdimësi kemi kërkuar që të na bëhet pagesa për punët te cilat i kemi kryer”, tha ai.

Gjyqtari, Naser Foniqi  e pyeti dëshmitarin në lidhje me pagesën e kontratës të lidhur për ndërtimin e objektit.

Deshmitari  deklaroi se vlera bazë e kontratës ka qenë rreth 477 mijë euro  plus aneksi i kontratës.

Ali Stublla në fund të deklarimeve të tij tha se kjo procedurë qe ka  ardhur deri këtu është për hakmarrje politike nga kryetari  i komunës Imri Ahmeti.

Mbrojtësi i të akuzuarit avoakti Shpetim Sadiku i propozoi gjykatës që të ftohen si dëshmitar perosnat përgjegjës nga Komuna e Lipjanit Ilir Tersholli dhe zyrtari I minisitrisë së arsimit Musa Shala, të cilët mund të dëshmojnë në lidhje me kontratat e lidhura si dhe për egzistimin e dëmit material. Si dhe propozoi që te caktohet eksperti financiar me të cilën do të vërtetonte se a u shkaku dëmi material në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Prokurori i shtetit  nuk e kundërshtoi  propozimin e mbrojtësit dhe i propozoi gjykatës që në seancën e radhës të ftohet përfaqësuesi i  palës së dëmtuar së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Teknologjisë që përfaqësohet nga avokatura e shtetit ne lidhje me dëmin material të shkaktuar si pasojë e veprimeve tani nga i akuzuari Hasim Vishasella.

Kryetari i trupit gjykues e aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, si dhe aprovoi propozimin e prokurorisë së shtetit.

Ndërsa në  lidhje me propozim për ekspert financiar  ai tha se do të vendoset në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor.

Seanca e radhës do të mbahet më 18 janar