Drenasi

Gjykimi për Ndërtimin pa Leje në Drenas

Musli Ademi njëri nga katër të akuzuarit për ndërtimin pa leje në objektin banesor të Komunës së Drenasit në gjykatë i arsyetoi veprimet e tij.

“Ndërtesa në të cilën kemi banuar, blloku i pestë, ka qenë i pamundur banimi nga reshjet atmosferike. Të gjithë banorët kemi kontaktuar disa herë me kryetarin e kuvendit dhe drejtorin e urbanizmit, na kanë cekë që mjete komuna nuk ka”, tha Ademi.

Ademi, por edhe Izet Kukaj, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi dhe Halim Vrellaku janë të akuzuar në këtë proces gjyqësor.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V të Komunës së Drenasit pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nënkulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1800 metra katrorë.

Aktakuza precizon se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në periudhën kur akuzohet ishte drejtoreshë e Inspektoratit Komunal të Drenasit dhe Halim Vrellaku që kryente detyrën e shefit të Inspektoratit ngarkohen se nuk vepruan për të parandaluar ndërtimin pa leje.

Më tutje gjatë deklaratës së tij, Musli Ademi që akuzohet se ndihmoi Izet Kukajn për ndërtimin e hapësirës ilegale të banimit në objektin e komunës, tha se të gjithë banorët e ndërtesës ku ndodhi mbindërtimi kishin shkuar në komunë për të kërkuar zgjidhje.

“Të gjithë banorët kemi shkuar në komunë dhe ju kemi thanë që nëse nuk na boni zgjidhje kemi me uzurpuar  komunën. Atë ditë ka qenë mbledhja me kryetarët e bashkësive lokale, kanë qenë strukturat intelektuale të KFORit dhe OSBE-ja.

Ademi deklaroi se për shkak të shiut të rrëmbyeshëm të asaj dite KFOR-i u ofroi tenda banorëve.

“Kur dolëm jashtë menjëherë inteligjenca e KFOR-it kanë ardhur dhe na kanë ofruar tenda, ju kamë thanë jo se edhe FSK-ja na ka ofruar po na kemi vendosur ti uzurpojmë zyrat e kuvendit komunal”, tha Ademi.

Ai tha në gjykatë se ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku dhe zyrtarë tjerë komunalë u kishin premtuar dhënien e lejes dhe pastaj deklaroi se nisën punimet.

“Të gjitha veprimet i kam marrë pa kurrfarë interesi vetëm që të shpëtohen këto familje dhe unë sot jam në bankën e të akuzuarit”, tha Ademi.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës  Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

Xhemajlaj-Thaçi dhe shefi i inspektoratit Halim Vrellaku akuzohen se nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta penguar, ose më pas rrënuar mbindërtimin, edhe pse e dinin që ai ishte pa leje.

Në seancën e radhës që do të mbahet më 29 prill do të ftohet përfaqësuesi i Komunës së Drenasit.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri