Gjykimi për Mosdeklarim Malli në Doganë

Në seancën e sotme për këtë grup pati mungesa të disa nga të akuzuarit. Liridon Hashani dhe Qaush Blakaj munguan në këtë seancë fillestare.

Gjyqtarja Valbona Selimaj deklaroi se sa i përket të akuzuarit Liridon Hashani i cili është në arrest shtëpiak është lëshuar urdhëresa për shoqërimin e tij deri në gjykatë, por nga Stacioni Policor Qendra ka ardhur njoftimi se e njëjta nuk ka pranuar ftesë që ta sjellë në gjykatë Hashanin.

Për Qaush Blakajn, gjyqtarja tha se ka marrë njoftim nga Stacioni Policor i Istogut nuk ka mundur ta gjejë në adresën e tij dhe as ai sot nuk ka mundur të paraqitet para gjykatës.

Avokati i Blakajt, Ramë Dreshaj tha se për herë të fundit  ka kontaktuar me klientin e tij më 9 prill.

“Më 9 prill më ka thirrë në telefon dhe më ka thënë se jam duke ardhur në Prishtinë dhe se në shtëpi kishin shkuar policia për të më kërkuar. Unë i kërkova që të kthehet në shtëpi dhe të lajmërohet në stacion policor. E kam kërkuar edhe pasdite, por më nuk më është përgjigjur,” tha Dreshaj.

Gjashtë persona po akuzohen nga prokuroria për vepra të ndryshme si keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit, kontrabandim me mallra e vepra tjera penale.

Të akuzuar në këtë proces janë Izet Dibrani, Qaush Blakaj, Shema Xhafa, Avdyl Selmani, Xhevat Lajçi dhe Liridon Hashani.

Dy të fundit janë zyrtarë doganorë në pikën kufitare Merdar.

Prokuroria, të pandehurit Izet Dibranin, Qaush Blakajn dhe Shema Xhafën i akuzon se më 1 mars 2016 rreth orës 10:00 në pikën kufitare Merdar pas marrëveshjes paraprake së bashku nuk e kanë deklaruar mallin që e kishin ngarkuar në tre furgonë që voziteshin prej tyre.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit me të arritur në pikën kufitare Merdar me anë të dhënies së ryshfetit në shumë prej 650 euro zyrtarëve doganorë Liridon Hashanit dhe Xhevat Lajçit, i janë shmangur kontrollit doganor për mallin me vlerë 11.054.90 euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Izet Dibrani, Qaush Blakaj, dhe Shema Xhafa kanë kryer veprat penale, kontrabandim i mallit, dhënie e ryshfetit si dhe shmangja nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Të akuzuarit Xhevat Lajçi dhe Liridon Hashani nga prokuroria akuzohen se kanë kryer veprat penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Avdyl Selmani akuzohet se ka dhënë ndihmë për kryerjen e veprës penale kontrabanidim i mallit dhe shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.