Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve - 03.07.2019

Gjykimi për mashtrimin me viza, avokati propozon për dëshmitar ish-ambasadorin italian

Në gjykimin për mashtrim me viza italiane, ku së bashku më Ukë Rugovën, akuzohen edhe 19 persona tjerë, kanë dhënë fjalët hyrëse, prokurorja speciale Florije Salihu Shamolli dhe mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri.

Prokurorja Speciale Florije Salihu Shamolli në fjalën e saj hyrëse tha se gjatë procedurës gjyqësore do ta dëshmojë sipas saj fajësinë e të akuzuarve.

“Nga provat të cilat do të prezantohen në shqyrtimet kryesore, siç janë provat materiale provat nga përgjimi i telefonave mobil, provat nga vazhdimi, provat e dokumentuara të konfiskuara gjatë bastisjes së të pandehurve me 5-6 shkurt 2013 dhe tetor 2015, provat tjera materiale të cilat janë marrë gjatë bastisjes siç janë disa kompjuterë dhe telefona të tjerë e për të cilat janë bërë ekzaminime të ndryshme. Pastaj provat të cilat janë sjellë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare si dhe dëshmitë e 24 dëshmitareve të cilët do të dëshmojnë se nuk kanë punuar në familjen Rugova, mbas analizimit të të gjitha këtyre trupi gjykues do të bindet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen dhe të njëjtit do t’i shpallë fajtor dhe do t’i dënoj me dënim sipas ligjit”, tha ajo.

Në anën tjetër, Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, tha se në cilësinë e dëshmitarit do ta ftojë edhe ish-ambasadorin italian Michael Giffoni.

“Ne do të provojmë ta sigurojmë prezencën e ish ambasadorit për t`i parashtruar vetëm një pyetje. A i është ofruar, premtuar apo dhënë ndonjëherë ryshfet, a është kërcënuar apo kanosur, detyruar apo në çfarëdo forme të kundërligjshme për të aprovuar vizat e qytetarëve të cilat paraqitën këtu si të kundërligjshme”, tha avokati Berisha.

“Për herë të parë sot e dëgjoj fjalën kontrabandim me emigrant dhe kalim ilegal të kufirit për persona që janë pajisur me vizë të rregullt nga një autoritet pjesë e marrëveshjes Shengen. Do të provohet se askush nga ta të cilët kanë marrë një rekomandim nga familja Rugova nuk ka bërë kalim të kundërligjshëm të kufijve, askush. Asnjë nga të rekomanduarit nuk kanë qenë dhe nuk kanë mbetur migrantë në asnjë shtet të botës së paku këtë mund ta provoni me provat që i ka dorëzuar vetë Prokuroria”, tha Berisha.

Ai tutje shtoi se: “Të kërkosh të penalizosh dikë që i ka shkruar rekomandim Ambasadës se personat e caktuar ishin apo janë aktivist të lidhjes demokratike të Kosovës, pjesëmarrës aktiv në tubime dhe fushata në role qoftë në fushën e sigurisë, qoftë në fushën e logjistikës, qoftë në fushën e mbledhjes së donacioneve për fushata dhe mbi këtë bazë t’i kërkosh një autoriteti t’i lëshoj një vizë duke respektu rregullat e vetë ambasadës nuk ka qenë dhe nuk do të mbetet krim asnjëherë”, tha ai.

Berisha tutje tha se do të provohet se asnjë qytetar që është në këtë dosje nuk e ka paguar asnjë cent të vetëm.

“Siç duket sa herë që Prokuroria është zënë ngushtë dhe ka pasur probleme me statistika ka nisur raste me emra të përveçëm që kanë besuar që në publik ja rrisin namin e ua shtojnë “bereqetin”. Rasti Ukë Rugova është një rast që në historinë e drejtësisë nuk ndodh shpesh për shkak se nga Gjykatat nuk lejohen manipulimet dhe fabrikimet në interpretimin e fakteve thelbësore siç ka ndodhur në rastin konkret”, ka thënë avokati Berisha.

Gjatë seancës së sotme, i akuzuari Ukë Rugova dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria Speciale.

“Jo nuk ndjehem fajtor”, kështu është deklaruar sot para Gjykatës Ukë Rugova, i akuzuar nga Prokuroria Speciale se ishte pjesë e një grupi kriminal, qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Njëjtë janë deklaruar para gjykatës edhe të akuzuarit tjerë: Astrit Haraqija, Izet Beqiri, Florjan Petani, dhe Qefser Beholli.

Të njëjtit pas leximit të aktakuzës nga ana e Prokurores Speciale Florije Salihu Shamolli u deklaruan të pafajshëm kundrejt akuzave që u vihen ne barrë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Gjatë seancës së sotme, trupi Gjykues I kryesuar nga kryetarja Naime Jashanica-Krasniqi ka vendor që ta veçojë procedurën penale ndaj Ukë Rugovës. Astrit Haraqija, Izet Beqiri, Florjan Petani, dhe Qefser Beholli.

https://kallxo.com/gjykimi-ndaj-uke-rugoves-dhe-te-tjereve-per-vizat-italiane-gjykata-vecoi-proceduren/

 

 

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.