Gjykimi për mashtrim ndaj zyrtarëve të 'Lesna'-s, dëshmitarët mohojnë se morën kredi

Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna” në Mitrovicë, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë dëgjuar dëshmitarët, Shemsedin dhe Sead Jashari, Besarta Krasniqi, Riad Haradinaj dhe Sead Imeri.

Jonuzi e Hasani, akuzohen se kanë nënshkruar kontrata në emër të kredi-marrësve, me ç’rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë, sipas aktakuzës, arrin shumën prej 55.500 euro.

Pesë dëshmitarët, gjatë marrjes në pyetje, mohuan të kenë aplikuar për kredi bujqësore apo blegtoriale, në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë, në vitin 2011.

Dëshmitari Shemsedin Jashari, gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Ismet Ujkani, mohoi se ka aplikuar personalisht për kredi në “Lesna” në vitin 2011, duke thënë se Avdullah Ferizi ka aplikuar në emër të tij dhe se ky i ka dhënë dy apo tre nënshkrime për këtë kredi.

Ndërsa më vonë dëshmitari Shemsedin Jashari, tha se i kishte tërhequr afër pesë mijë euro dhe ia kishte dhënë Avdullah Ferizit, për të cilin tha se e ka dhëndër dhe se kredia është e tij.

Gjatë dhënies se dëshmisë së tij Jashari, tha se e njeh të akuzuarin Ardian Jonuzi, kurse për të akuzuarin Berat Hasani, tha se nuk e ka parë më parë.

Dëshmitari tjetër Sead Jashari, gjithashtu mohoi se ka aplikuar për kredi në vitin 2011, në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë, duke shtuar se nuk kishte qenë asnjëherë në këtë institucion financiar.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Ismet Ujkani, dëshmitari Jashari ka thënë se në vitin 2011, në bankën “NLB”, ka tërhequr dikur rreth 2.400 euro dhe sipas tij, ato më pas ia ka dorëzuar Avdullah Ferizit.

Edhe dëshmitarja tjetër, Besarta Krasniqi, gjatë dhënies së dëshmisë së saj, para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Beqir Halili, deklaroi se nuk ka aplikuar për kredi në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë.

Por, ajo tregoi se kishte tërhequr para me kërkesën e Avdullah Ferizit në Bankën Ekonomike, në shumë prej 3.500 euro e të cilat më pas tha se ia ka dhënë të njëjtit.

Ajo shoti se kishte qenë në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë, dhe se ka nënshkruar në një letër të bardhë, kurse prezent ka qenë Avdullah Ferizi.

Ndërsa për paratë e tërhequra nga banka Krasniqi, tha se Avdullah Ferizi, i kishte thënë se ato para janë donacion nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për bujqësi dhe se të njëjtat nuk mund t’ia jep vetëm një personi, por duhet t’i shpërndajë në disa xhirollogari bankare.

Gjithashtu, edhe dëshmitari Riad Haradinaj, mohoi të ketë aplikuar për kredi në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë.

Ai tha se në “Lesna” ka nënshkruar në një letër të bardhë duke cekur se prezent sipas tij ka qenë i akuzuari Ardian Jonuzi, duke shtuar se edhe më parë me të akuzuarin Jonuzi dhe Avdullah Ferizin janë takuar në një lokal.

Dëshmitari Haradinaj gjithashtu tha se kishte tërhequr para të cilat më pas ia kishte dhënë Avdullah Ferizit, i cili i kishte thënë që të mos pyes se nga kanë ardhur paratë, por vetëm t’i tërheqë dhe t’ia jep atij.

Në seancë si dëshmitari i dëgjua edhe Sead Imeri.

Imeri tha se në “Lesna” ka qenë vetëm për të hapur një xhirollogari me kërkesë të Avdullah Ferizit.

Dëshmitari Imeri, po ashtu ka cekur se ka tërhequr një shumë të parave në Vushtrri të cilat po ashtu ia kishte dorëzuar Avdullah Ferizit.

Ndryshe, Avdullah Ferizi kishte pranuar akuzën për mashtrim, ndërsa më 27 shkurt 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me dy vjet burgim dhe ishte obliguar që në vlerë prej 43.500 euro të kompensojë katërmbëdhjetë të dëmtuarit, të cilët sipas Prokurorisë kanë rënë pre e mashtrimit gjatë vitit 2011, derisa i akuzuari ka ushtruar detyrën e menaxherit të fermës së bagëtive.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve deklaratat e të cilëve u kundërshtuan nga i akuzuari Jonuzi, i akuzuari Berat Hasani kërkoi nga Gjykata që kjo seancë të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër.

I akuzuari Hasani, e njoftoi Gjykatën së ka rast vdekje në familjen e tij.

Kërkesa për shtyrje të seancës, u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, ndërkaq që seanca e radhës u caktua më 19 tetor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ardian Jonuzin dhe Berat Hasanin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jobankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Ardian Jonuzi ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredimarrësve.

Kurse Berat Hasani akuzohet se në emër të kredimarrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.