Agjencia që premtonte viza pune për Gjermani – Foto: KALLXO.com

Gjykimi për mashtrim me viza në Prizren, të dëmtuarit: Morëm kredi e borxhe për të paguar

Në Gjykatën e Prizrenit po vazhdojnë seancat maratonike ndaj të akuzuarve për mashtrim me viza.

Në seancat e caktuara për këtë muaj po japin dëshmitë e tyre të dëmtuarit.

Numri i tyre shkon në 490, raporton KALLXO.com.

Në më shumë se 100 faqe aktakuzë, Prokuroria i ngarkon Flamur Hoxhën e Besim Rexhajn se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

https://kallxo.com/nis-gjykimi-me-489-deshmitare-100-faqe-aktakuze-dhe-per-1-milion-euro-te-shpelara/

KALLXO.com raporton se sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro dhe nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangies nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në fillim të seancës prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, deklaroi se ndërkohë në Prokurori po vazhdojnë të paraqiten të dëmtuar të tjerë, të cilët po ofrojnë prova për pagesat e kryera, e të cilët do t’i shtohen listës të të dëmtuarve në aktakuzë.

Krahas shumë të dëmtuarve të cilët do të dëgjohen në vazhdimësi të këtij procesi gjyqësor, në seancën e së martës kanë dhënë dëshminë e tyre të dëmtuarit: Mark Gashi, Shemsedin Maliqi, Sabadin Ajeti, Fatmir Kasumaj, Dardan Veliu, Florent Osmani dhe Ardian Bajraktari.

Guximtar Imeraj njëri nga të dëmtuarit në seancën e kaluar kishte deklaruar se ”për t’i siguruar këto para, jam detyruar me hy në kredi”.

Mark Gashi, i dëmtuari nga Klina, tha se është i dëmtuar në shumën prej 2.500 eurosh, e për këto para i njëjti tha se e ka shitur lopën.

Edhe i dëmtuari Sabit Ajeti nga Shtimja, tha se për t’i siguruar shumën prej 2.500 euro për t’i kryer pagesat për shërbimet e ofruara, ka marrë kredi si dhe ka marrë borxh te familjarët.

Gjykimi nuk kaloi krejt i qetë, pasi që kur po dëshmonte Afrim Bislimi, për të njëjtin kishte pyetje edhe mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Durim Nevzati.

Ai e pyeti dëshmitarin se pse më parë nuk e kishte përmendur se kishte takuar Flamur Hoxhën e sot para trupit gjykues po deklaron se e ke takuar Flamurin në zyrë, e në Polici nuk ke deklaruar të njëjtën.

Por gjyqtari i rastit Xheladin Osmani i sqaroi avokatëve se nuk do të lejojë avokatët të drejtonin pyetje ndaj dëshmitarëve për deklarimet e tyre të mëhershme, duke i vënë në lajthitje dëshmitarët.

Kjo krijoi edhe polemika ndërmjet avokatit Nevzati e gjyqtarit Osmani, e ndërkohë dikush nga publiku iu drejtua avokatëve se “po i mbroni mashtruesit, e popullin kush po e mbron“, me çka gjyqtari Xheladin Osmani e përjashtoi nga salla.

Ndërkohë avokati tjetër i Flamur Hoxhës, Bashkim Nevzati, kërkoi mirëkuptim nga trupi gjykues, e t’i lejohet mbrojtjes të parashtrojë pyetje e t’i ballafaqojë dëshmitarët me deklaratat e tyre të mëhershme.

“Ne nuk do të jemi ata që do të pengojmë rrjedhën e procedurës edhe ashtu të ngarkuar, por në rastin konkret po shkelet e drejta e të mbrojturit tonë, pra e drejta jonë që të reagojmë në deklarata të caktuara, e t’i ballafaqojmë dëshmitarët me deklarimet e tyre që po pranohen në shqyrtime gjyqësore, me deklarimet e tyre të mëhershme”, tha avokati.

Pasi që situata u qartësua dhe u larguan dilemat, atëherëë gjykimi vazhdoi edhe me dëshmitarët e  tjerë që kishin ardhur edhe nga vende tjera pos Prizrenit.

Fatmir Kasumaj nga fshati Gramaqel i Deçanit kur prokurori e pyeti se nga i ka siguruar paratë për të paguar për shërbimet e ofruara, i njëjti tha se “po du me shpjegu pak ma mirë, se unë jam dëmtuar shumë”, dhe vazhdoi duke treguar se paratë bashkë me babanë e tij i ka kërkuar te disa të afërm, ashtu që të njëjtat do t’u ktheheshin për një afat të shkurtër.

“Përpos që këto para nuk kemi mujt me i kthy, kemi humbur edhe miqësinë me ata familjarë, kam humbur edhe besimin e babës tem, e prej asaj kohe babai nuk më flet, për arsye se jam mashtruar, në këtë rast edhe unë jam mashtrues para babës tem, sepse unë kam insistu me marrë vizë pune e me dal jashtë shtetit, edhe shkollimin e kam ndërpre duke e prit vizën e punës”, shtoi i dëmtuari Kasumaj.

Edhe Florent Osmani nga Ferizaj tha se ”paret i kam marrë borxh në tana anët”.

Ai tha se ndihet i dëmtuar e i mashtruar dhe se kërkon kompensim për parat e paguara.

Të dëmtuarit e tjerë që të gjithë deklaronin se ndihen të mashtruar, pasi që u ishte premtuar viza pune për në Gjermani, e pasi që kishin paguar shuma nga 2.500 e deri në 3.000 euro, të njëjtit nuk ishin pajisur me leje pune nga shteti i Gjermanisë.

Mbrojtësit e të akuzuarve avokatët Miftar Qelaj e avokat Pjetër Përgjoka, kishin vërejtje ndaj deklarimeve të dëshmitarëve.

Seancat e ardhshme janë të caktuara më 25 dhe 27 shkurt, kur pritet të vazhdojnë të dëshmojnë edhe të dëmtuarit e tjerë, nga rreth 490 sa janë deri tani.

Në këtë rast aktakuzën e përfaqëson Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dhe lënda është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

https://kallxo.com/aktakuza-si-u-mashtruan-489-qytetare-te-kosoves-me-punesim-ne-gjermani/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona tjerë, pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anën të veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit  të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është 489, të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fonde në fjalë, transferuar ato te personat tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.