Foto: Kallxo.com

Gjykimi për kokainë e marihuanë: I akuzuari kërkon negocim të fajësisë

Arbër Ahmeti, i akuzuar për marihuanë e kokainë sot pranë gjykatës së Gjakovës, kërkoi marrëveshje për pranim të fajësisë.

Paraprakisht mbrojtësja e të akuzuarit Ahmeti, avokatja Feride Xani, kishte kundërshtuar me shkrim aktakuzën dhe provat e prokurorisë.

Në seancën e sotme, avokatja Xani i propozoi Prokurorisë që të negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

“Edhe nëse nuk arrihet marrëveshja, ne do të heqim dorë nga kundërshtimi i provave për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor”, tha avokatja Feride Xani.

Ndërsa prokurori i rastit, Ali Uka, nuk e kundërshtoi propozimin për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Ndërkaq gjyqtari Nikollë Komani, caktoi 12 korrik për seancën e radhës.

Sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpisë së të akuzuarit Arbër Ahmeti, janë gjetur 11 qese të vogla të mbushura me substancë narkotikë pluhur.

Aktakuza shpjegon se 4.46 gramë kishin qenë të llojit kokainë, ndërsa 418.04 gramë ishin marihuanë.