Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për drogë - Njëri i akuzuar vdes, tjetri i paarritshëm për Policinë

Mungesa e dy të akuzuarëve për shitblerje të drogës, Haki Salijeviq dhe Nenad Aleksiq ka bërë që të dështojë seanca ndaj tyre.

Gjykatësit i rastit Avni Mehmeti, ka njoftuar se gjykata ka urdhëruar Policinë e Kosovës për verifikim të adresës së dy të akuzuarve.

Sipas gjykatësit Mehmeti, nga ana e Policisë është konstatuar se për të pandehurin Nenad Aleksiq  nuk dihet adresa e saktë, kurse për të pandehurin Haki Salijeviq, thuhet se ai ka ndërruar jetë.

Të lartcekurit nga prokuroria po akuzohen se në shkurt 2009, kanë kryer shitblerjen e substancës narkotike të shpallur si të rrezikshme-heroinë në pesë paketime, në peshë të përgjithshme prej 0.79 gram.

Në gjykatë prezent ishte Prokurori i rastit Njani Rexha, i cili është njoftuar se gjykata ka kërkuar nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Veri që të sigurohet certifikata e vdekjes për të pandehurin Salijeviq, por që ende nuk është siguruar ky dokument nga ana e Policisë.

Në këto rrethana, gjykatësi Avni Mehmeti ka konstatuar se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës, e cila është shtyrë në afat të pacaktuar.

Për shkak të mos prezencës së të akuzuarve në gjykatë kishte dështuar të mbahet edhe seanca e datës 18 shkurt 2019.

Ndryshe, prokuroria e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, akuzon Haki Salijeviq se në shkurt 2009, në Mitrovicë në shtëpinë e tij në mënyrë të paautorizuar i ka shitur të pandehurit Nenad Aleksiq, substancë narkotike të shpallur si të rrezikshme- heroinë në pesë paketime të mbështjella në foli alumini në peshë të përgjithshme prej 0.79 gram.

Kurse Nenad Aleksiq po akuzohet se në të njëjtën datë dhe vend, pa autorizim e me qëllim të shitjes ka blerë substancë narkotike të shpallur si të rrezikshme-heroinë në peshë të përgjithshme prej 0.79 gram në vlerë prej 60 euro, me ç’rast është zënë në flagrancë nga ana e Policisë gjatë shitblerjes të substancave narkotike dhe sasia e narkotikëve është konfiskuar.

Me këtë veprim secili veç e veç, akuzohen se kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope”, thuhet në akuzën e prokurorisë.