Gjykimi për shmangien nga tatimi | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Dëmin Milionësh nga Shmangia e Tatimit

Në seancën gjyqësore ku pretendohet se të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 4.063.991.87 euro, në cilësinë e dëshmitarit i ftuar ishte hetuesi tatimor Besim Haziri.

Sipas aktakuzës, Blerim e Skender Sinani, Isa Dërguti, Samir Sinanaj, Sabit e Ramadan Sogojeva, Enver Hasani dhe Mentor Emini, duke duke funksionuar si grup i organizuar në periudhën kohore 2010-2014, me qëllim që vetes t’i sjellin pasurim të drejtpërdrejtë financiar, i kanë regjistruar bizneset e tyre, disa prej tyre fiktive.

Aktakuza sqaron se për t’iu shmangur pagesës së tatimit të akuzuarit kanë lëshuar fatura fiktive dhe ua kanë mundësuar edhe bizneseve tjera shmangien nga tatimi.

Në seancë, dëshmitari Besim Haziri duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit Faik Haliti se gjatë hetimeve a janë konstatuar veprime të përbashkëta në mes të akuzuarve aktualë, tha se të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm për këto veprime të kundërligjshme.

“Të gjitha janë bërë me vetëdije dhe me marrëveshje në mes tyre, duke e ditur se çfarë janë duke bërë. Të gjithë e kanë ditur që njëri-tjetrit janë duke ia mundësuar fitimin e kështu që e kan prishur edhe tregun”, u përgjigj Haziri.

Në bazë të aktakuzës, disa nga bizneset të cilave u janë lëshuar faturat fiktive nga të akuzuarit në fjalë janë: “Konto-Web” me pronar të akuzuarin Isa Duguti, “O and M” me pronar të akuzuarin Mentor Emini, “Banana” me pronar Enver Hasanin, “Qami” shpk, “Crem-com”, “KAF-Group”, “Trade-KS” shpk, “Adi”, “Blera”, “AMT-Group”, “Jehona”, “Uniqa Group Austria”, ”Ariani”, “Lesa” e shumë kompani të tjera.

Me këtë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale krim i organzizuar, lidhur me veprën penale dokumente të rrejshme lidhur me tatimin.

Dëshmitari Haziri deklaroi se nuk ka pasur mall apo shërbim në mes të kompanive por vetëm transaksione fiktive.

Ndërkaq pyetjes së avokatit mbrojtës Behar Ejupi se a e ka pasur një seli të biznesit të regjistruar i akuzuari Skender Sinani, dëshmitari Haziri iu përgjigj me “Po”, por sipas tij e njëjta nuk ka operuar.

“Po, ka qenë e regjistruar adresa e biznesit, mirëpo e njëjta nuk ka operuar”, deklaroi dëshmitari.

Në qershor të vitit 2016 tetë të akuzuarit për dëmtim buxheti nga shmangia e tatimit u deklaruan të pafajshëm.

http://kallxo.com/ndihen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-shmangie-nga-tatimi/

Nëntorin dhe dhjetorin e vitit të kaluar në Emisionin “Jeta në Kosovë” u shfaq hulumtimi në tri vazhdime për një vjedhje të organizuar tatimore që ishte bërë nëpërmjët shmangies nga tatimi me anë të firmave fantome.

Këtë skandal e kishte raportuar në KALLXO.com kallxuesi Murat Mehmeti, hetues në Administratën Tatimore të Kosovës.

Vjedhja e Organizuar Tatimore

Vjedhja e Organizuar Tatimore 2

Vjedhja e Organizuar Tatimore 3

Të gjitha shkrimet për vjedhjen e organizuar tatimore mund t’i lexoni këtu.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri