Gjykimi për 100 euro ryshfet, dy zyrtarët e Policisë mbrohen në heshtje
Dy zyrtarët policor, Tafa Murseli e Arben Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u mbrojtën në heshtje.
Tafa Murseli e Arben Shala, dy zyrtarë policorë ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata i kishte dënuar Murselin e Shalën me nga 6 muaj burg, të cilin mund ta kthejnë në gjobë me nga 3600 euro.
Kurse Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e dy mbrojtësve të akuzuarve, Shala dhe Tafa, dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore, dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Gjykimi filloi rishtazi, për arsye të ndërrimit të trupit gjykues, dhe në fillim të shqyrtimit gjyqësor kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi, deklaroi se dëshmitarja Vinjola Dalipi, nuk është prezent, dhe sipas informatave e njëjta gjendet jashtë shtetit.
Prokurori i shtetit Rafet Halimi, pasi dëshmitarja Vinjola Dalipi, ka qenë e pa mundur të thirret, i propozoi trupit gjykues që të lexohet deklarata e saj e dhënë në procedurën paraprake në Prokurori, si dhe të lexohen edhe deklarata e Enisa Trenaj si dhe e Sevdaim Bakijut.
Mbrojtësi i të akuzuarit Arben Shala, avokati Ibrahim Dobruna, tha se mbetet pranë kundërshtimit të dhënë më herët, dhe kërkoi që deklarata e Dalipit mos të lexohet, dhe se e njëjta të veçohet nga shkresat e lëndës, ku sipas tij nuk mund të mbështetet vendimi në një prove të pa pranueshme. Si dhe i propozoi trupit gjykues se si prova të administrohen, kallëzimi penal, skica e vendit të ngjarjes.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Murseli, avokati Sevdali Zejnullahu tha se në një situate të tillë prokurori i më parshëm, ka deklaruar se tërhiqet nga propozimi për leximin e deklaratës së dëshmitares Dalipi. Ai shtoi se trupi gjykues ka marrë vendim një herë, dhe sipas tij është e pa arsyeshme që tani të ndryshohet.
Më pas trupi gjykues mori aktvendim, dhe refuzoi propozimin e prokurorit të shtetit, që të lexohet deklarata e dëshmitares Vinjola Dalipi. Ndërsa aprovoi propozimin e palëve që të lexohet deklarata e Enisa Trenaj dhe Sevdaim Bakijut, si dhe aprovoi propozimin e avokatit Dobruna për leximin e provave të paraqitura nga mbrojtësi.
Seanca vazhdoi me administrimin e provave, ku prokurori Halimi deklaroi se mbetet në tërësi pranë provave të paraqitura në shqyrtimin gjyqësore të kaluar, ku sipas tij do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Kurse mbrojtësit e të akuzuarve avokatët Dobruna dhe Zejnullahu deklaruan se mbesin në tërësi pranë deklaratave të mëhershme.
Më pas të akuzuarit Murseli edhe Shala e shfrytëzuan të drejtën e tyre të mbrohen në heshtje.
Kurse në fjalën përfundimtare, prokurori Rafet Halimi, tha se mbetet pranë fjalës së kolegut të tij që ka dhënë më herët në shqyrtimin e kaluar.
Edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ibrahim Dobruna dhe Sevdali Zejnullahu, thanë se mbesin në tërësi në fjalën përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar.
Më pas trupi gjykues mori aktvendim që shpallja e aktgjykimit të bëhet me datën 8 mars.
https://kallxo.com/denohen-policet-moren-ryshfet-nje-shoferi-te-dehur/
Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon zyrtarët policorë Tafa Murseli dhe Arben Shala se në shkurt të vitit 2014 në Rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Sipas aktakuzës, dy zyrtarët e Policisë dyshohen se pranuan ryshfetin prej 100 eurosh nga S. B. që të mos hapin rast penal ndaj tij.
- B. në shkurt të vitit 2014 teksa po voziste në gjendje të dehur kishte shkaktuar aksident në Prishtinë.