Gjykimi për falsifikim të parasë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për 100 euro fals, dëshmon analisti i bankës

Në gjykimin për falsifikim të 100 eurove, për çka akuzohet Ali Xërxa, në Gjykatën e Gjakovës sot është dëgjuar dëshmia e këshilltarit personal për klientë-analist kredie i Bankës Ekonimike, Ilir Dylatahu.

Ai tregoj se detyrat e tij janë dhënia e këshillave për klientët për hapje të llogarive, transferit, kredive e përgjegjësi të tjera.

“Gjatë zbrazjes në kutinë e parave të dyshimta kemi gjetur bankënotën prej 100 eurove fals, e pastaj kemi njoftuar qendrën në Prishtinë në departamentin cart suport”, tha zyrtari i Bankës Ekonomike në Gjakovë, Ilir Dylatahu.

Ai tha se gjatë deponimit të parave, paratë e falsifikuara ndahen menjëherë.

“Gjatë periudhës 2-vjeçare që unë e mbikëqyr bankomatin, është hera e parë që kemi vërejtur paranë e dyshimtë”, tha ai.

“Edhe nëse dikush tjetër po të njëjtën ditë deponon një bankënotë tjetër të dyshimtë, automatikisht sistemi ynë gjatë numërimit e ndan bankënotën e dyshimtë dhe personin që ka deponuar ato para”, tha dëshmitari Ilir Dylatahu.

Ai tha se bankënotën e dyshimtë së pari e verifikojnë në aparatin për vërtetim të parave të falsifikuara.

Më pas prokurori i çështjes Ali Uka, i propozoi Gjykatës që të bëhet një ekspertizë për konstatimin e aparateve të bankës.

Ndërkaq trupi gjykues i përbërë nga kryetari Gëzim Pozhegu, bashkë me anëtaret Diana Sina dhe Myfera Hoxha, duke e aprovuar propozimin e prokurorit tha se seanca shtyhet për kohë të pacaktuar derisa të bëhet ekspertiza për verifikimin e aparateve të bankave, me arsyetimin që të verifikohet funksionimi i tyre.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast.

Ali Xërxa duke mos e pranuar akuzën që i vihet në barrë, ishte deklaruar i pafajshëm.

“Sigurisht që nuk e pranoj fajësinë”, kishte thënë i akuzuari Ali Xërxa.

Sipas aktakuzës Ali Xërxa, duke e ditur që paraja është e falsifikuar, në bankomatin e Bankës Ekonomike në Gjakovë ka deponuar shumën prej 1000 euro dhe nga kjo shumë 100 euro kanë qenë të falsifikuara.

Aktakuza shpjegon se punëtori i Bankës pas zbrazjes së aparatit të bankomatit ka vërejtur paranë në vlerë prej 100 euro të falsifikuar dhe ka njoftuar personat zyrtarë.

 

Shënim: Që nga 27 dhjetori i vitit 2019, Ali Xërrxa është liruar nga akuza për falsifikimin e 100 eurove pasi prokurori i rastit Ali Uka është tërhequr nga ndjekja penale.