Gjykimi ndaj zv/ministrit të 'Qeverisë Haradinaj' drejt përfundimit

Bujar Nerjovaj, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike, po përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren.

Objekt i aktakuzës së Prokurorisë janë 4 objekte hoteliere që gjenden të gjitha në zonën historike të Prizrenit, respektivisht në Shadërvan të Prizrenit.

Tashmë gjykimi i është afruar fundit, janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët e Prokurorisë, si dhe ekspertja e arkitekturës e cila ka përpiluar ekspertizë për dëmin që ka pësuar Komuna e Prizrenit, e që llogaritet të jetë mbi 30 Mijë Euro.

Kallxo.com ka raportuar që nga ngritja e aktakuzës për këtë rast.

Dëshmitar në këtë proces ishte edhe ish-kryetari i Prizrenit Ramadan Muja.

Edhe i akuzuari Bujar Nerjovaj ka dhënë mbrojtjen e tij në seancën e ditës së mërkurë, ndërsa të premten (10.05.2019) jepet fjala përfundimtare, dhe 2 deri në 3 ditë më vonë shpallet edhe vendimi i Gjykatës.

Bujar Nerjovaj gjatë mbrojtjes së tij, ka thënë se nuk ka qenë përgjegjësi e tij rrënimi i objekte pa leje apo mbindërtimeve pa leje, por ky si drejtor vetëm është marrë me menaxhimin e Drejtorisë dhe organizimin e punës së inspektorëve.

Nerjovaj gjatë kohës sa jepte mbrojtjen e ti ishte i qetë, përgjigjej ngadalë. Ai në pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Blerim Mazreku, fliste më gjatë dhe në detaje tregonte për detyrat e tij si drejtor, dhe detyrat e inspektorëve vartës të tij.

Mbrojtësi i tij avokati Blerim Mazreku, e pyeti Nerjovajn se “Kush ka qenë sipas tij kompetent për krijimin e kushteve për ekzekutimin e konkluzioneve për rrënim të dhunshëm?”.

Nerjovaj më shumë se një herë tha se vetë inspektorët kanë qenë përgjegjës për rrënimin e objekteve dhe mbindërtimeve pa leje. Ndërsa person kompetent sipas Nerjovajt “në bazë të ligjit, përgjegjës ka qenë edhe koordinatori i Inspektoratit të Ndërtimit, Fadil Hoxha”, shtoi Nerjovaj.

Avokati Mazreku gjithashtu e pyeti të mbrojturin e tij se pas nënshkrimit të konkluzioneve të inspektorëve për rrënim a ka pasur i njëjti përgjegjësi apo obligim të mëtutjeshëm.

Nerjovaj në përgjigje tha se përgjegjësia ishte komplet e inspektorëve të lëndës që ndjekin rrugët deri në përfundim të lëndës, pra rrënim të objektit pa leje.

Ndërsa pas shumë pyetjeve avokati Mazreku në fund e pyeti të mbrojturin e tij Nerjovaj sa a i njeh pronarët e Hoteleve që kanë pasur mbindërtim apo të ndërtuar pa leje?

Por Nerjovaj kategorikisht mohoi që i njeh apo t`i ketë takuar ndonjë herë këta pronarë.

“Kurrë as pa si kam, as nuk e di kush janë, se ma me pi kafe apo diçka tjetër absolutisht jo”, tha ai.

Prokurori Metush Biraj që përfaqëson aktakuzën e Prokurorisë, e pyeti të akuzuarin Nerjovaj se a kishte kërkuar ndonjëherë nga inspektorët shtyrjen e afatit për rrënim të objekteve pa leje, gjithashtu prokurori Biraj i kërkoi të akuzuarit Nerjovaj që sqaronte pozitën e tij si drejtor, për bashkëpunimin me inspektorët.

Bujar Nerjovaj, në mbrojtjen e tij tha që i njëjti ka qenë si menaxher i Drejtorisë dhe i punës së inspektorëve, por inspektorët në aspektin e marrjen së vendimeve kanë qenë të obliguar të zbatojnë ligjin.

Nerjovaj gjithashtu tha që ndaj inspektorëve të cilët nuk i kishin zbatuar konkluzionet për rrënim të objekteve hoteliere në Shadërvan të Prizrenit, ka të inicuara edhe procedura disiplinore në Komisionie Disiplinore.

Në fund Nerjovaj shtoi se për objektet Hoteliere për të cilat akuzohet se nuk ka rrënuar, për to ka marrë njohuri tek në përfundim, në fazat përfundimtare se ato janë pa laje, apo kanë mbindërtim pa leje.

Ditën e premte prokurori Metush Biraj dhe mbrojtësi i të akuzuarit avokati Blerim Mazreku, para trupit gjykues japin fjalën përfundimtare, me çka edhe shqyrtimi gjyqësor shpallet i mbyllur kur trupi gjykues tërhiqet për këshillim dhe vendosje.

Shpallja e aktgjykimit bëhet javën e ardhshme, ditën e martë eventualisht ditën e mërkurë.

Bujar Nerjovaj më parë në një deklarim të tij për Kallxo.com, e kishte quajtur të pakuptimtë, aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren.

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Nerjovaj, në vazhdimësi në periudhën kohore 05.12.2011 e deri më 21.02.2013, pasi që është njoftuar me konkluzionet e inspektorëve të ndërtimtarisë, nuk i ka ndërmarrë masat për t`i siguruar kushtet adekuate për ekzekutimin e konkluzionit të inspektorëve.

Në bazë të këtyre konkluzioneve të inspektoratit, Prokuroria e Prizrenit pretendon se Nerjovaj si drejtor i Inspektoratit, është dashur të bëjë rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimit në objektet hoteliere si në vijim: Hotel ”Shadërvan”, hotel ”Classic”,  hotel “Centrum” (të gjitha këto me mbindërtime ) si dhe rrënimi i hotel ”Kaçinari” (sipas aktakuzës i ndërtuar pa leje) të gjitha në Prizren, si dhe objektet hoteliere në fjalë, të gjitha me lokacion gjenden në zonën e parë të Qendrës Historike në Prizren.

Sipas aktakuzës me mosveprimin e ish-drejtorit Nerjovaj është dëmtuar kujtesa kolektive e qytetit, në këtë kuadër është dëmtuar edhe trashëgimia kulturore e arkitekturës për të cilën kujdeset Zyra e Qendrës Historike të Prizrenit.