Gjykimi për keqpërdoimin e detyrës nga ish zevendeskomandanti i Policisë në veri të Mitrovicës - 27.03.2019

Gjykimi ndaj ish-zëvëndës komandantit të Policisë në veri të Mitrovicës për shpenzimin e karburanteve

Seanca ndaj të akuzuarit Darko Gusniq, ish-zëvendës komandantit i Policisë në veri të Mitrovicës ka dështuar të mbahet.

Gusiq akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës, pasi që dyshohet se nuk kishte verifikuar shpenzimin e derivateve të naftës nga veturat zyrtare.

Sipas akuzës i pandehuri Gusniq ishte dashur që të verifikojë shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të policisë të mbushura me derivate nga zyrtari i stafit civil Dragan Kompiroviq, por sipas akuzës këtë nuk e ka bërë dhe ka nënshkruar memorandumet për shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të policisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gusniq dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumën prej 9.146.01 euro.

Në këtë rast përveç Darko Gusniqit ka qenë i akuzuar edhe Bratislav Kragoviq por ndaj tij prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale në seancë e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 29 gusht 2018.

Prokurori Ismet Ujkani kishte deklaruar se me një vendim të datës 23 gusht 2011, të njëjti i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, dhe se sipas tij veprimet e të njëjtit nuk kanë përmbajtur elementet e veprës penale me të cilën e ngarkonte aktakuza, e që supozohej se i kishte kryer nga janari i vitit 2011 e deri në prill të vitit 2012, me ç’rast ishte tërhequr nga ndjekja penale për këtë të akuzuar.

Në seancën e sotme, gjykatësi i rastit Radoslav Markoviq ka njoftuar palët prezente se në seancë nuk ishte i pranishëm dëshmitari i paraparë të dëgjohej për sot F.S.

Sipas gjykatës nga fletkthesa është konstatuar se i njejti gjendet jashtë vendit.

Meqenëse trupi gjykues e ka vlerësuar si të rëndësishme dëgjimin e këtij dëshmitari, ka njoftuar palët prezente se përmes policisë do të bëjnë përsëri përpjekje për sigurimin e prezences së dëshmitarit, dhe nëse nuk do të mund të bëhet kjo atëhere do të shikohet mundësia që deklarata e tij të lexohet.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Darko Gusniq së në periudhën kohore janar 2011 gjerë në muajin prill të vitit 2012, si person zyrtar në stacionin policor verior në Mitrovicë si zëvendës komandant nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Ndërsa seanca është shtyrë për datën 15 maj.