Gjykimi ndaj ish drejtorit të prokurimit në Gjilan drejt fundit

Në gjykatën e Gjilanit, sot vazhdoi shqyrtimit gjyqësor ndaj Salih Kqikut, ish drejtor i zyrës së prokurimit në komunën e Gjilanit. Ai po gjykohet se me veprimet e tij, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në gjykimin e sotëm të udhëhequr nga trupi gjykues Zyhdi Haziri, kryetar, Boban Aleksiq e Menderes Behluli anëtarë, u morën në pyetje dëshmitari Nazmi Halili (ish ushtrues i detyrës së zyrës së prokurimit në Gjilan), si dhe u mbajtë fjala përfundimtare e palëve.

Dëshmitari Nazmi Halili tregoi ndër të tjera, se në kohën kur  e ka bërë pranim dorëzimin e detyrës, e ka ditur se drejtoria e prokurimit ka pasur dy zyre të arkivës në Gjilan, por që nuk e ka njoftuar për këtë të akuzuarin Salih Kqiku.

Ai më tutje shtoi se e ka ditur ku është kjo zyrë por nuk qenë asnjëherë aty, duke theksuar se për problemet që kishin ndodhur me landet e arkivës në këtë zyrë, kishte dëgjuar vetëm nga mediat lokale në Gjilan, tha ndër të tjera ky dëshmitar.

Fjala përfundimtare e palëve

Gjykimi më tej vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve ku mes tjerash Prokurori i shtetit Isuf Sadiku deklaroi se, mbetet në tërësi pranë aktit akuzues si dhe duke u mbështetë në provat materiale dhe dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetu pamëdyshje se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilën akuzohet. Prokurori Isuf Sadiku i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të mirren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, Salih Kqiku avokati Shemsedin Piraj, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi ndër të tjera se nga provat e shtjelluara në këtë gjykim nuk është vërtetuar asnjëherë të vetme se i akuzuari Salih Kqiku të ketë kryer dy veprat penale për të cilat akuzohet. Sipas avokatit Piraj, aktakuza kështu siç është përshkruar nuk thirret në prova specifike me të cilat do të rezultonte se i akuzuari i ka kryer këto dy vepra penale, dhe këtë e kuptojmë sepse prova të tilla nuk ka, tha mes tjerash Piraj.

Në fund avokati Piraj deklaroi se duke marrë parasysh se këtu ndodhet një njeri me bagazh të jashtëzakonshëm profesional dhe i vetëdijshëm për çdo veprim që ndërrmer, veprimet e tija kanë qenë konform ligjit dhe se aktakuza që është ngrit ndaj tij nuk mbështetet në prova dhe fakte që dëshmojnë kryerjen e kësaj vepre penale. Avokati Piraj, kërkoi nga gjykata që për shkak të mungesës së provave i akuzuari të lirohet nga përgjegjësia penale.

I akuzuari Salih Kqiku, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se ka besim të plotë në trupin gjykues, dhe e mbështes fjalën përfundimtare të mbrojtësit tim, duke shtuar se sipas provave e dëshmitarëve të dëgjuar, u verejtë se unë nuk jam kryerës i kësaj vepre penale.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga Prokurori Isuf Sadiku thuhet:

Salih Kqiku akuzohet se gjatë vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tija, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke punësuar dy familjarë të vet, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, në të cilën zyrë kanë qenë të vendosur dosje të tenderëve, e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën e tij Antigona Kqiku dhe mbesën Naime Bunjaku.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, Salih Kqiku gjatë vitit 2014, në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Prokurimit në komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tija, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke asgjësuar apo fshehur materialet arkivore, në atë mënyrë që, ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, në të cilën zyre kanë qenë të vendosuar dosje të tenderëve e e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policor nuk kanë mundur të i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara.

Vendimi përfundimtarë për këtë rast shpallet me datë 19 Nëntor 2018

 

https://kallxo.com/ish-drejtori-i-prokurimit-te-gjilanit-ndihet-i-pafajshem/

.