Arkiv - Gjykimi ndaj Granit Elshanit

Gjykimi ndaj Granit Elshanit - Kush e ndoqi prapa të dyshuarin për vrasjen e Besart Shabit

Në gjykimin ndaj Granit Elshanit i cili po akuzohet për vrasje në diskotekën “City Club”, në Pejë, dëshmuan personi i cili e ndjeku vrasësin e dyshuar i cili ende nuk është i njohur për organet e rendit. Dëshminë e tij e dha e dhe një zyrtar policie.

Dëshmitari Kushtrim Hysenaj, i cili natën kritike ishte i angazhuar si sigurim në diskotekë, deklaroi se së bashku me Xhevdet Kelmendin e ka ndjekur nga pas personin i cili kishte shtënë me dy armë brenda festes.

“Personi që ka shtënë është larguar në drejtim të daljes nga diskoteka dhe aty shumë pak e kam vërejt, ndërsa në atë moment, vëllai i “Larës”, Xhevdet Kelmendi ka vrapuar i pari pas të dyshuarit, ndërsa unë kam shkuar pas tij. Unë dhe Xhevdet Kelmendi e kemi ndjekur pas dhe pasi i dyshuari ka shku ne drejtim të Kulla e Pashës, ne jemi ndalë dhe jemi kthy”, tha dëshmitari.

Ai shtoi para gjykatës se nuk është e vërtetë ajo çka ka deklaruar Xhevdet Kelmendi, se kinse ky i ka thënë: “Nuk me besohet që Granit Elshani e ka bo qeta”.

“Jo more nuk osht e vërtet nuk e kom dit unë kush o Granit Elshani as emrin nuk ia kam ditë“, tha dëshmitari.

Me kërkesë të prokurorit, dëshmitari Kushtrim Hysenaj gjatë dëshmisë së tij u ngrit në këmbë për të parë se a ishte personi i dyshuar i natës kritike  pranishëm në këtë sallë, dhe pasi e shikoj u deklarua se i dyshuari nuk ndodhet në gjykim dhe se pot të ishte do ta dallonte.

Dëshmitari Ismet Fetaj, i cili ka qenë i angazhuar në hetimin e këtij rasti, tha se i qëndron pranë të gjitha raporteve të cilat i ka përpiluar dhe dëshmive të dhëna.

Në këtë proces gjyqësor, njëri nga pjesëtaret e familjes Elshani, Graniti po gjykohet për ngjarjen tragjike në diskotekën ‘City Club’ në Pejë, e cila kishte ndodhur natën e dytë të janarit më 2010.

Atë natë shumë pejanë kishin zgjedhur diskotekën “City Club” për ta festuar vitin e ri. Në mesin e tyre ishte edhe Valdet Kelmendi, i njohur si “Lara”.

Festa e pejanëve u ishte kthyer në tragjedi pasi brenda asaj diskoteke kishte hyrë edhe një person i armatosur, i cili kishte filluar të shtinte.

Cak i këtyre të shtënave sipas Prokurorisë ishte Valdet Kelmendi, pjesëtari i familjes Kelmendi e cila ka qenë në hasmëri me familjen Elshani që nga viti 2000.

Atë natë Valdet Kelmendi kishte mbetur i plagosur, të plagosur kishin mbetur edhe Arta Bardhi dhe polici Hasan Buqaj, ndërsa nga të shtënat i vdekur kishte mbetur Besart Shabi.

Prokuroria pretendon se personi i cili festën e natës së dytë të vitit të ri e ktheu në tragjedi ishte Granit Elshani.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Rigjykimi ndaj Granit Elshanit pritet të fillojë nesër në Gjykatën e Pejës.

Historia e konfliktit Elshani – Kelmendi që la 23 të vrarë

Sipas Prokurorisë Speciale në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Sulmi i 30-të besohet se ndodhi një natë para vitit të ri 2019 tek parku i vogël i qytetit, ku Xhevdet Kelmendi ishte duke lëvizur me veturë së bashku me shokun e tij Besim Lajqin.

Nga ky sulm mbeti i plagosur Besim Lajqi, ndërsa prokurorja tha se cak i sulmit ishte Xhevdet Kelmendi.

“Unë po supozoj që ai ka qenë cak i sulmit. Ende nuk kam të dhëna te sakta por supozimet tona çojnë në atë drejtim”, kishte thënë prokurorja Sahide Gashi.

Besim Lajqi është i plagosuri i 39-të i këtij konflikti, pasi para plagosjes së tij sipas Prokurorit të EULEX, kanë qenë të plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.