Gjykimi ndaj Fisnik Ismaili - 12.03.2019 - foto KALLXO

Gjykimi ndaj Fisnik Ismailit, prokurori në fund të gjykimit hoqi dorë nga njëra pikë e aktakuzës

Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili, i akuzuar nga Prokuroria për posedimin e armëve (bombolave të gazit) dhe pengimin e zyrtarëve, ka deklaruar sot para Gjykatës se asnjërën vepër të cilën e ngarkon Prokuroria nuk e ka bërë.

Prokurori pas shikimit të video-incizimeve, hoqi dorë nga pika dy e aktakuzës, për veprën penale pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjatë seancës janë lëshuar edhe video-incizimet, që ishin bërë para Parlamentit të Republikës së Kosovës, dhe në ato video u vërtetua se i akuzuari Ismaili nuk i kishte penguar Policinë e Kosovës, në detyrën e tyre zyrtare.

Gjykimi ndaj Fisnik Ismaili – 12.03.2019 – foto KALLXO.

I akuzuari, Fisnik Ismajli në seancën e sotme ka dhënë edhe mbrojtjen e tij.

Në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Betim Shala, i akuzuari Fisnik Ismaili, deklaroi se i kujtohet që në mes të muajve nëntor – dhjetor të vitit 2015 ka zhvilluar Parlamenti i Kosovës seancë.

“Unë në atë kohë kam qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe më kujtohet gjatë atyre seancave parlamentare disa deputetë kanë përdorë edhe bombola të gazit brenda në sallën e parlamentit. Unë personalisht asnjëherë në asnjë seancë s`kam përdorë bombola të gazit”, tha Ismaili.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur që nga sigurimi i parlamentit të largohem për shkak të përdorimit të bombolave të gazit”, shtoi Ismajli.

“Gjithashtu më kujtohet që gjatë hyrjes së deputetëve janë kontrolluar nga punëtorët e sigurimit dhe disa prej tyre u janë konfiskuar çdo mjetë i dyshuar, për ndezje sa edhe shkrepat. Unë e konsumoj duhanin dhe mua personalisht ma kanë konfiskuar shkrepësen si mjet ndezës gjatë kontrollimit nga sigurimi i parlamentit”, tha deputeti Ismaili.

Në pyetjet e prokurorit Ilaz Beqiri, i akuzuari Fisnik Ismaili, deklaroi se: “Më kujtohet se më është afruar një dokument nga pjesëtarët civil policor, por unë nuk e kam nënshkruar, dhe në atë dokument shkruante se nga unë janë konfiskuar dy bombola gazi”.

Prokurori Beqiri e pyeti të akuzuarin se a është ankuar në ndonjë institucion, për personat të cilët Ismaili tha se kanë qenë zyrtarë të Policisë?

“Në atë proces më është shkelur imuniteti i deputetit, dhe unë e disa deputetë të parlamentit të Kosovës jemi ankuar. Në raport me këtë dokument që më është ofruar ta nënshkruaj tani s`kam koment”, tha Ismaili.

“Pse të rastisi  me qenë afër Albin Kurtit?” E pyeti prokurori të akuzuarin

“Pas seancës Kuvendi i Republikës i ka dy dalje në afërsi të objektit, është e vetmja rrugë për të cilën mundeni me dal jashtë, si çdo herë tjetër që kam dal prej Kuvendit, edhe faktikisht video tregon se unë jam prapa, pasi isha ndal të pija cigare. Në video shihet se e kam shpinën e kthyer nga policët me ç`rast tregon se nuk i kam penguar policët në detyrën e tyre”, tha Fisnik Ismaili.

Në pyetjen e prokurorit se a i ka ndodhur që t`ia kontrollojnë këpucët, deputeti i akuzuar, Fisnik Ismaili deklaroi se: “Çdo kontroll nga ana e policisë na kanë urdhëruar që edhe këpucët t`i zbathim.

Më pas  në këtë shqyrtim gjyqësore është dhënë edhe fjala përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se tërhiqet nga pika dy e aktakuzës, për veprën penale pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

“Meqenëse nuk është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale si në pikën dy të aktakuzës, unë tërhiqem nga vepra penale pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare. Ndërsa mbetem në tërësi pranë aktakuzës për veprën penale si në pikën 1 të aktakuzës. Ngase me provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor në mënyrë të plotë dhe të qartë është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi dhe kontroll të armëve, pasi që me rastin e kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të policisë në hollin e Kuvendit të Republikës se Kosovës në këpucët e të pandehurit  janë gjetur dhe janë konfiskuar dy bombola gazi”, tha prokurori Ilaz Beqiri.

Prokurori Beqiri me tutje tha se kërkon nga Gjykata që i akuzuari Fisnik Ismaili të shpallet fajtorë dhe të gjykohet sipas ligjit për këtë vepër penale.

Kurse avokati Betim Shala, deklaroi se Prokuroria meqenëse hoqi dorë për pikën dy të aktakuzës, nuk ka arritur që ta vërtetoj se i akuzuari Fisnik Ismaili ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

“Prokurori pasi hoqi dorë për pikën dy të aktakuzës dhe se Prokuroria gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk ka arritur të vërtetojë që i akuzuari Fisnik Ismaili, deputet i Kuvendit të Kosovës, ka kryer veprën penale sipas kësaj aktakuze, dhe se në realitet Prokuroria për dëshmimin e kësaj vepre penale ka prezantuar vetëm një vërtetim mbi marrjen e gjë sendeve. Dhe se vërtetohet se edhe vetë pjesëtarët e Policisë që i kanë konfiskuar gjësendet kanë dyshim se çka janë ato, aty thuhet se dyshohet se mund të jenë gaz lotsjellës”, tha avokati Shala.

“Prokuroria është dashtë të vërtetojë me prova korrekte, dhe  t`i qojë në ekzaminim që me dit ato gjësende a janë bombola gazi dhe në vete a përmbajnë gaz lotsjellës. Po ashtu kjo prokurori ka pas mundësi që gjatë këtij shqyrtimi të propozoj edhe dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, zyrtarët e Policisë që kanë bërë atë vërtetim. Mbrojtja konsideron se me asnjë provë materiale nuk është vërtetuar se Fisnik Ismaili ka pasur bombola gazi. Kërkoi nga trupi gjykues që të sjell aktgjykim lirues”,  theksoi avokati Betim Shala

Kurse në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari Ismaili deklaroi se asnjëherë nuk ka hedh as gaz lotsjellës, as gurë, dhe asnjë mjet në asnjë rast.

“Prokurori pak para supozoi se qëllimet e mia kanë qenë me hedh gaz lotsjellës, dhe këtë me paramendim, kurse duhet marr parasysh se unë në asnjë rast të vetëm nuk kam hedhur gaz lotsjellës, as gurë në protestë apo çfarëdo lloj mjeti në asnjë rast”, tha Fisnik Ismajli.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 18 mars njoftoi gjykatësi Vesel Ismajli.

 

https://kallxo.com/pese-police-deshmuan-se-nuk-e-kane-pare-fisnik-ismailin-me-gaz-lotsjelles-ne-kuvend/

 

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fisnik Ismaili, që atëherë ishte deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, pa autorizim ka poseduar armë dhe më 30.11.2015 rreth orës 10:45 gjatë një kontrolli nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në hollin e Kuvendit, atij i ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës të cilat i kishte fshehur në këpucë.