Gjykimi i mjekut dhe infermierit për shpërdorim detyre | Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Mantelbardhëve për Keqpërdorim Detyre

Petrit Xhaka e Liridon Mehmeti akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ngase kanë pranuar ryshfet nga i dëmtuari Gazmend Halili në vitin 2014.

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, bëri të ditur se gjykata ka tentuar të sigurojë praninë e të dëmtuarit, i cili njëkohësisht edhe është dëshmitari kyç i rastit, por nga informatat që i kanë është bërë e ditur se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Të akuzuarit Petrit Xhaka dhe Liridon Mehmeti kërkuan që të ballafaqoheshin me Halilin, në mënyrë që të kenë mundësi të kundërshtojnë dëshminë e tij.

Në fjalën e tyre hyrëse, dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Aktakuza thotë se Xhaka në cilësinë e mjekut dhe Mehmeti në cilësinë e infermierit, me autoambulancë të QKUK-së kanë pranuar të përcjellin fëmijën Sumea Halili nga Prishtina deri në spitalin e Tiranës.

E për këtë përcjellje, Xhaka e Mehmeti pretendohet t’i kenë kërkuar babait të Sumeas nga 100 euro, përkundër se ishin në dijeni për gjendjen e rëndë të vajzës së tij.

Halili ua kishte dorëzuar dy të akuzuarve nga pesëdhjetë euro, përkundër situatës në të cilën gjendej.

E për këtë, i dëmtuari më pas e kishte lajmëruar edhe policinë.

Ndonëse aktakuza është ngritur në shtator të vitit 2014, për shkak të ndërrimit të trupit gjykues gjykimi duhet të fillojë rishtas.

Kërkesës së të akuzuarve për thirrjen e dëshmitarit iu bashkua edhe prokurori Armend Hamiti.

“Edhe unë mendoj se duhet të prezantojë i dëmtuari Halili dhe të akuzuarve të u jepet mundësia e kundërshtimit, pasi që në fazat e mëhershme kjo nuk u është dhënë”, tha prokurori Hamiti.

Trupi gjykues mori aktvendim që seanca të shtyhet deri në një afat të pacaktuar, deri në sigurimin e prezencës së dëshmitarit Halili.

“Seanca e sotme ndërpritet dhe do të shtyhet për një kohë të pacaktuar, deri sa të sigurohet prezenca e tij, pasi që është dëshmitari kyç dhe i vetmi që ju lidhë me veprën penale”, tha kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.