Gjykimi i Kqirajve - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Kqirajve për fajde, Prokuroria ngre dyshime në gjykatësin

Prokurorja e Prokurorisë Speciale dhe avokati i palës së dëmtuar në rastin e grupit të Tunë Kqirajt, të akuzuar për fajde dhe vepra të tjera të rënda penale, kanë kërkuar sot përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani.

Kërkesën e prokurores Merita Bina – Rugova e mbështeti edhe avokati Tomë Gashi, i cili përfaqëson të dëmtuarit Zef e Pal Gruda.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza, e  Besfort Omaj kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

https://kallxo.com/rigjykimi-i-kqirajve-per-fajde-prokurorja-kerkon-denimin-e-deshmitarit/

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde.

Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Derisa po jepnin dëshminë dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria Speciale, Merita Bina – Rugova ishte e pakënaqur me dëshmitë e dëshmitarëve.

Sipas saj, “ndërmjet dëshmitarëve dhe të akuzuarve ka marrëveshje bashkëpunimi pasi që dëshmitarët po ndërrojnë deklaratat e tyre vazhdimisht”.

Edhe Tomë Gashi, përfaqësues i të dëmtuarve Zef e Pal Gruda, shfaqi pakënaqësitë e tij në raport me kryetarin e trupit gjykues.

Gjykata e Prizrenit – Foto: KALLXO.com

E pas pauzës, kur po pritej të vazhdonte gjykimi prokurorja Merita Bina – Rugova u ngrit dhe tha: Unë po kërkoj ndërprerje e menjëhershme të seancës dhe përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.

Prokurorja konsideroi se gjyqtari Osmani nuk po e udhëheq shqyrtimin kryesor në mënyrë objektive dhe të paanshme.

Ajo kërkoi edhe video dhe audio-incizimet që i janë bërë seancave të rigjykimit, të cilat do t’i bashkëngjet si prova në kërkesën e saj për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.

Tomë Gashi, i cili po përfaqëson të dëmtuarin Zef Gruda dhe Pal Gruda, tha se e mbështet propozimin e prokurores.

Avokati Gashi tha se kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani nuk është i paanshëm në raport me palët dhe se sipas tij rastet në raste të caktuar e bën të pamundshme kryerjen e detyrës ligjore të prokurores.

Por, Kosovare Kelmendi, avokatja e njërit prej të akuzuarve, ashpër e kundërshtoi propozimin e prokurores.

Sipas avokates, prokurorja pa arsye po e përsërit kërkesën e saj për përjashtim. “Unë si mbrojtëse ju rikujtoj se ekziston edhe një interes tjetër këtu – që janë të akuzuarit, gjykimi i të cilëve po zvarritet vite me radhë, dhe të njëjtit janë duke pësuar dëme materiale e jomateriale”.

Kelmendi tha se këto dëme janë të joriparueshme dhe të pakompenzueshme për ta, andaj e njëjta shtoi se është edhe në interes të të akuzuarve dhe të palës së dëmtuar që ky proces të përfundojë me një vendim të formës së prerë.

Edhe mbrojtësit e tjerë, avokatët Skender Musa dhe Hazër Susuri, e kundërshtuan kërkesën e prokurores.

Sipas tyre, kjo kërkesë është e  paarsyeshme dhe ka për qëllim zvarritjen dhe vonimin e këtij procesi gjyqësor.

Prokurorja Merita Bina – Rugova reagoi ndaj kundërshtimeve të avokatëve. E njëjta i kërkoi kryetarit të trupit gjykues ta ndërpres menjëherë seancën.

“Nuk kemi nevojë me i marr mendimet e avokatëve. Për kërkesën time vendos kryetari i Gjykatës, zotëri Ymer Hoxha”, tha prokurorja.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, e ndërpreu gjykimin e për kërkesën e prokurores do të vendosë kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, e deri sa të merret vendim e pasi që të sqarohet sitauta e krijuar do të vendoset për shqyrtimet e ardhshme gjyqësore.

Përplasje gjatë gjykimit pati edhe mes kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani dhe avokatit Tomë Gashi, i cili në rigjykim po përfaqëson palën e dëmtuar në këtë proces – Zef dhe Pal Grudën.

Sipas gjyqtarit Osmani avokati Gashi po i parashtron pyetje provokuese dëshmitarit.

Shkëmbim fjalësh ndërmjet gjyqtarit Xheladin Osmani e avokatit Gashi kishte pasur edhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Avokati Tomë Gashi për  dëshmitarin kishte filluar të bëjë pyetje lidhur me atë se çfarë shkollimi ka kryer dhe sa vjeçar ka qenë kur ka kryer shkollën e mesme.

Kjo e kishte irrituar dëshmitarin, i cili kishte refuzuar të përgjigjej.

Kishte reaguar edhe kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, i cili i tërhoqi vërejtjen avokatit Gashi se nuk do të lejojë pyetje provokuese për dëshmitarin dhe se informacionet për dëshmitarin janë në shkresat e lëndës.

Ndërsa avokati Tomë Gashi iu drejtua gjyqtarit Osmani me fjalët: “Dëgjo, se mua mos më kërcëno, nuk jam unë Arianit Koci. Refuzone pyetjen por mos mu kërcëno mua!”.

Prokurorja speciale Merita Bina – Rugova edhe më parë kishte pasur vërejtje të shumta ndaj dëshmitarëve, të cilët, sipas saj, në vazhdimësi po i ndërrojnë deklarimet e tyre nga ato të kaluarat, pasi që sipas saj “është evidente që ka pasur presione ndaj dëshmitarit”.

Edhe më herët, në ankesën e saj ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore, prokurorja Merita Bina – Rugova, kishte kërkuar që pasi që rasti të kthehet në rigjykim por jo të njëjtës Gjykatë por rasti të gjykohet në një gjykatë tjetër.

https://kallxo.com/fajdet-prokuroria-kerkon-qe-kqirajt-mos-te-gjykohen-ne-prizren/

Rreth katër muaj pasi që Gjykata Themelore e Prizrenit i kishte gjetur fajtorë dhe dënuar 10 persona në rastin e njohur për fajde ku akuzoheshin disa anëtarë të familjes Kqiraj nga Prizreni,  Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin sepse ka gjetur mungesa esenciale që duhet t’i përmbajë një aktgjykim.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, evidenton shkelje elementare në aktgjykimin e Gjykatës së Themelore të Prizrenit edhe pse ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara si kriter për liberalizim të vizave.

https://kallxo.com/rasti-kqiraj-mungesat-elementare-qe-e-anuluan-aktgjykimin-e-fajdeve/

www.kallxo.com