Gjykimi i Sanije Palojës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-ofiqares për falsifikim të vitit të lindjes së një qytetari, dëshmon zyrtari i MPB-së

Në gjykimin e ish-zyrtares së Bashkësisë Lokale në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, Sanije Paloja, ka dëshmuar zyrtari i gjendjes civile i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fetih Aliu.

Paloja po akuzohet se si zyrtare kishte shënuar të dhëna të rreme dhe se me nënshkrim dhe vulë kishte vërtetuar dokumentin me të cilin i akuzuari Kreshnik Ibrahimi kishte ndërruar vitin e lindjes.

Bashkë me Palojën, në këtë rast për falsifikim të dokumentit po akuzohet edhe Ibrahimi, i cili në seancën fillestare më 13 nëntor 2018, e kishte pranuar fajësinë duke thënë se e kishte ndërruar vitin e lindjes me qëllim të migrimit ilegal në Gjermani.

Sa i përket një tabele që e akuzuara e posedon me pretendimin se kompjuteri i saj ka qenë i hapur, dëshmitari Aliu tha se menaxheri i databazës i asaj kohe, Zenel Hisenaj, ose zyrtari i cili tani punon, Genc Hamzaj, në regjistrimin e gjendjes civile mund të ofrojnë më tepër informata se çka përmban saktë tabela e databazës.

Tutje ai deklaroi se ka mundësi të qasen në të njëjtën lëndë në dy kompjuterë dy zyrtarë dhe sipas tij nuk mund të dallohet se cili zyrtar kënd po e kërkon.

Kurse sa i përket lëshimit të certifikatave të lindjes ai tha se bazë për lëshimin e një dokumenti është libri i lindjes dhe se shënimet në të barten në sistem elektronik të gjendjes civile.

“Ndërsa momenti kur printohet një certifikatë më pas duhet të nënshkruhet e të vuloset, ku vetëm zyrtari i certifikuar e kishte këtë të drejtë”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket ndryshimeve në certifikata të lindjes dëshmitari Aliu tha se zyrtarët e gjendjes civile e kanë pasur atë mundësi ta bëjnë.

“Çdo ndryshim që bëhet në certifikatë e bën zyrtari i gjendjes civile i cili e ka librin e lindjes. Në atë kohë, në vitin 2014, zyrtarët e gjendjes civile e kanë pasur mundësinë  e korrigjimit të gabimeve, sepse e kemi lënë atë mundësi se për shkak të ndonjë gabimi që mundet me ndodh. Dhe se ky korrigjim mund të bëhet vetëm një herë”, tha dëshmitari Aliu.

Gjithashtu ai deklaroi se Agjencia e Regjistrimit Civil i mbikëqyr korrigjimet dhe ndryshimet por jo për secilin rast, sepse sipas tij ka shumë raste kur bëhen gabime teknike në nxjerrjen e një certifikate.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Naser Foniqi se “siç e shihni në tabelë janë të hapur dy kompjuterë, a mundet në të njëjtën kohë dy zyrtarë të gjendjes civile me nxjerrë një certifikatë dhe me bë ndryshime?”, dëshmitari u përgjigj: “Besoj që nuk mundet se ato të dhëna duhet më pas të ruhen”.

Në fund të dëshmisë së tij dëshmitari Aliu tha se për të akuzuarën Sanije Paloja kishte respekt dhe i sugjeroi trupit gjykues që të merren më shumë informata nga databaza dhe zyrtarët përgjegjës me qëllim që të arrihet një konkluzion i drejtë në këtë rast.

Kurse prokurori i cili tash e tutje e përfaqëson lëndë  është Arian Gashi, sepse prokurori i lëndës, Fetih Tunuzliu, është në procedurë të pensionimit.

Prokurori Gashi propozoi që të kërkohet një raport nga Agjencia i Regjistrimit Civil, për të akuzuarin Kreshnik Ibrahimi, me të cilin do shihet se kur është regjistruar për herë të parë nëse të dhënat e tij janë ndryshuar si dhe nga kush janë bërë këto ndryshime.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin e prokurorit dhe seancën e radhës e caktoi për më 14 qershor.

https://kallxo.com/kriza-e-vizave-prishtinasi-falsifikoi-daten-e-lindjes-per-te-qendruar-ne-gjermani/

Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë më 30 mars 2017 me pretendimin se Sanije Paloja kishte kryer veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar, kurse Kreshnik Ibrahimi për veprën penale – falsifikim i dokumentit.

Aktakuza pretendon  se Paloja në cilësinë e zyrtares së Bashkësisë Lokale në lagjen “Dardania”, kishte shënuar të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e saj dhe vulën zyrtare kur kishte vërtetuar dokumentin e Kreshnik Ibrahimit, në Historia e lindjes, me 24 dhjetor 2014.

Paloja thuhet se kishte shënuar si datë të lindjes për Ibrahimin, 18 prillin e vitit 1999, kurse i njëjti kishte lindur më 18 prill 1996, fakt ky i vërtetuar në librin amzë të të lindurve ku ishte shënuar data e vërtetë e lindjes që ishte viti 1996.

Kurse sipas aktakuzës në bazë të këtij shënimi i akuzuari Kreshnik Ibrahimi kishte dorëzuar certifikatë të rreme në autoritetet gjermane me rastin e udhëtimit të tij ilegal në këtë shtet, ku i njëjti nuk ishte liruar të kthehet në Kosovë për shkak të moshës së tij 15 vjeçare.

Kjo aktakuzë tutje thotë se ai me këtë paraqitje si i mitur nuk ka mundur të kthehet pa miratim të prindërve ku përmes konsullatës së Kosovës në Frankfurt më pas ishte zbuluar se ai nuk ka lindur në vitin 1999, por në vitin 1996.

Kurse i akuzuari Kreshnik Ibrahimi pretendohet se kishte përdorur dokumentin e falsifikuar në datë të pacaktuar në vitin 2014, duke e marrë me vete në rrugëtimin e tij ilegal për në Gjermani duke ua prezantuar këtë dokument përgjegjësve të autoriteteve gjermane gjatë procedurave të realizimit të drejtës si azilkërkues.