Gjykimi i Gjatë për Rrethojën e Përmendores

15 vjet më parë, në vitin 2001, rrethoja e përmendores së vëllezërve Bahri  e Fahri Fazliu u bë shkak që Hashim e Burim Fazliu të kenë një konflikt me Naser e Skender Fazliun.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Prishtinë, në fshatin Llaushë e Epërme të Podujevës më 31 tetor të vitit 2001, rreth orës 15:00 të akuzuarit Haxhim dhe Burim Fazliu  kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit Naser dhe Skender Fazliu.

Gjithnjë sipas aktakuzës,  i akuzuari Hashim Fazliu ka shtënë me revole disa herë, kurse i dyshuari tjetër ka goditur me pushkë automatike në drejtim të të dëmtuarve, me ç‘rast u ka shkaktuar atyre lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa e kanë mohuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkohen.

Në seancë dëshmoi Ibrahim Shalaku që ishte në vend të ngjarjes me të dëmtuarit kur ndodhën të shtënat në Llaushë të Podujevës.

Të dy të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë për veprat që ju vihen në barrë.

Në seancën e sotme, dëshminë e tij për të sqaruar rrethanat e këtij rasti e dha Ibrahim Shalaku.

Ai tregoi se ditën kritike kishte qenë në vendin e ngjarjes së bashku me të dëmtuarit, kur kishte ardhur Hashimi me disa persona tjerë.

“Ata kanë ardhur me veturë, nuk  e kam pa Hashimin duke dalë nga vetura, por e kam pa duke ardhur në drejtim tonin dhe ka filluar disa fjalë. E di që ka folë fjalë fyese, kështu ka qenë situatë e tensionuar, ka qenë monolog sepse ka folë vetëm Hashimi,” tha dëshmitari.

Dëshmitari më pas përshkroi edhe rrjedhën e momentit kritik duke treguar se ishte ballë për ballë me të akuzuarin Hashim Fazliu, ndërsa të dëmtuarin Skender Fazliu e kishte prapa shpinës.

“Pas krismës së parë të revoles Skenderi u shtri për toke ndërsa pas krismës së parë kanë filluar të shtënat nga automatiku. Unë menjëherë pas krismës së parë ja kam ngrit dorën lart Hashimit dhe kanë filluar të shtënat e automatikut,” përshkroi ngjarjen dëshmitari.

I akuzuari Hashim Fazliu tha se nuk pajtohet në tërësi me dëshminë e dëshmitarit.

“Ky njeri po flet sikur nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes, unë kam vërejtje në tërë dëshminë e tij,” tha i akuzuari.

Pas përfundimit të seancës për KALLXO.com Tahir Rrecaj, avokati i të akuzuarit Hashim Fazliu u shpreh i brengosur me kohëzgjatjen e këtij gjykimi.

“Në fakt ngjarja ka ndodhur në vitin 2001, i mbrojturi im dhe i bashkakuzuari tjetër akuzohen për veprën penale tentim-vrasje. Shqyrtimi gjyqësor ka zgjatur tej mase sepse një kohë të dy të akuzuarit kanë qenë në arrati mirëpo edhe prej kohës kur janë kapur nga organet e ndjekjes është një kohë shumë e gjatë, rreth tre vjet që kanë filluar hetimet dhe nuk ka përfunduar ende,” tha Rrecaj.

Rrecaj gjithashtu tha se dëshmia e Ibrahim Shalakut kishte kundërthënie.

“Dëshmitari i sotëm ishte i prokurorisë, mendoj se besueshmëria e këtij dëshmitari nuk qëndron fare sepse ai e ka dhënë një dëshmi menjëherë ditën kur ka ndodhur ngjarja me 31 tetor 2001 dhe thellësisht dëshmia e tij e dhënë në polici në atë kohë, por edhe ajo në prokurori në vitin 2012 ndryshon nga dëshmia e sotme në shqyrtimin gjyqësor dhe besoj që trupi gjykues nuk do t’ia falë besimin këtij dëshmitari,” tha Rrecaj.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin maj.