Gjykimi i dy policëve që liruan veturën e aksidentuar pa e dërguar në Doganë për zhdoganim

Në gjykimin e të akuzuarve Flurim Tafolli e Rexhep Krasniqi që të dy zyrtarë policorë, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar, dha dëshminë e tij dëshmitari Xhevdet Kabashaj, i propozuar nga ana e prokurores Ervehe Gashi.

Pjesëtarët e Policisë së trafikut rrugor në Prizren, Tafolli dhe Krasniqi, akuzohen se në vitin 2017 gjatë orarit të punës, pasi që fillimisht sekuestrojnë një veturë e vetaksidentuar, të njëjtit duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, nuk hapin rast për vetaksident.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë zyrtarë policorë e lirojnë veturën e aksidentuar, dhe se e njëjta nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por është dashur të dorëzohet në terminalin doganor në Prizren, për zhdoganim, raporton KALLXO.com.

Xhevat Kabashaj, ka dëshmuar në cilësinë e punëtorit të firmës “Xoni”, në Suharekë, e cila është e autorizuar nga policia për bartje të automjeteve të konfiskuara. Sipas Kabashajt e njëjta firmë ka edhe hapësirën ku edhe i vendosin veturat e ndaluara nga Policia.

Në pyetjet e prokurores Ervehe Gashi, se me urdhër të kujt ishte liruar vetura, e cila është bartur me mjet, dëshmitari ka thënë se: “Kam pasur urdhëresë gojore nëpërmjet telefonit nga Flurim Tafolli”.

Prokurorja Gashi, e ka pyetur dëshmitarin se kur lirohet automjeti i ndaluar “çka duhet me iu ofru personi ju që ju me e liruar automjetin?”.

Dëshmitari tha se si dëshmi duhet të jetë pagesa e kryer, dhe nënshkrimi i zyrtarit policor për lirimin e automjetit. Në këtë rast, sipas tij, nuk ka pasur një të tillë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Flurim Tafolli, avokati Arben Ramadani, e ka pyetur dëshmitarin, nëse bartjen e automjetit e ka bërë me urdhëresë të personave zyrtarë apo kërkesë të personave privat?

“Automjetin e kam bartur me kërkesën e pronarit Flamur Kuqi, i cili më është drejtuar nëpërmjet telefonit, si dhe nuk kam pasur kërkesë me shkrim nga ana e policëve për bartjen e automjetit të vetaksidentuar”, tha dëshmitari.

Në pyetjet e avokatit Asman Hoxha dëshmitari sqaroi: “Automjetin e kam liruar me urdhër të Flurim Tafollit, por ka pas edhe thirrje nga Flamur Kuqi që më tha se ai e kishte kryer punën me policinë”.

Kur kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi i kërkoi dëshmitarit që të sqarojë situatën rreth momentit kur i njëjti e ka liruar automjetin, të saktësoj se me kërkesë të cilit e ka liruar automjetin, dëshmitari u përgjigj: “Atë ditë i kam pas 100 thirrje për me liru atë veturë, prej shumë personave”.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi i tërhoqi vërejtjen dëshmitarit për kujdes gjatë dëshmisë, dhe të mbajë rend në gjykatë, raporton kallxo.com.

Ndërsa në mungesë të dy dëshmitarëve tjerë, trupi gjykues në përbërje edhe të Luan Berisha dhe Xheladin Osmani anëtarë, ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, dhe caktuan një datë tjetër, ku do të vazhdohet me marrjen në pyetje të dëshmitarëve tjerë të propozuar nga ana e Prokurorisë.

Gjykimi ndaj policëve të akuzuar se liruan veturën e aksidentuar e cila rezultoi e pazhdoganuar

Nuk vijnë dëshmitarët, dështon gjykimi ndaj 2 policëve në Prizren