Gjykimi i Drejtorit Vokshi, Palët Këmbëngulin në Kërkesat e Tyre

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur seanca e dytë e rastit të kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit, ku i akuzuar është drejtori i Administratës së Përgjithshme të Komunës së Gjakovës, Armend Vokshi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Vokshi ngarkohet se kishte detyruar shtëpiakun e Komunës së Gjakovës, Bekim Gutajn, që të blejë një pajisje zërimi (miksetë), pasi kjo e fundit ishte vjedhur nga salla e Kuvendit Komunal.

Sipas deklaratës së Gutajt, drejtori e kishte kërcënuar ose ta blinte pajisjen ose do ta suspendonte nga puna. Përballë kësaj situate, Bekim Gutaj e kishte blerë miksetën.

Vetë Armend Vokshi në seancat e kaluara kishte mohuar pretendimet e shtëpiakut të Komunës.

Pas hetimeve të Policisë ishte kuptuar se pajisjen e kishte vjedhur një i afërm i drejtorit.

Mikseta i është kthyer Komunës, e cila ende nuk ia ka bërë pagesën Gutajt për pajisjen të cilën thotë se e ka blerë nën trysninë e drejtorit.

Gjykata Themelore në Gjakovë kishte refuzuar kërkesën e Teki Bokshit, avokatit të të akuzuarit Armend Vokshi, për hedhje poshtë të aktakuzës, me arsyetimin se aktakuza është e mbështetur në prova të mjaftueshme.

Avokati Bokshi pastaj u ankua në Gjykatë të Apelit, e cila e anuloi vendimin e Themelores, aprovoi ankesën e mbrojtjes, ndërsa ktheu në rivendosje çështjen e drejtorit të Administratës së Përgjithshme

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, aktakuza është në kundërshtim me vetveten dhe arsyet e paraqitura në të, ngase nga aktakuza nuk vërehet qartë se cilat janë veprimet inkriminuese të të akuzuarit për veprën penale që i vihet në barrë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në seancën e së hënës mbrojtësi i të akuzuarit deklaroi se mbetet edhe më tutje pranë kundërshtimeve të paraqitura më parë si dhe i propozoi Gjykatës t’i marrë për bazë sugjerimet e Gjykatës së Apelit.

“Mbetemi edhe më tutje pranë kundërshtimit me shkrim lidhur me provat në të cilat bazohet aktakuza dhe pranë kërkesës për hedhjen e aktakuzës. Jam i bindur se kjo Gjykatë do t’i marrë për bazë sugjerimet e gjykatës ankimore”, tha avokati Bokshi.

Në anën tjetër, prokurori i rastit Agron Matjani tha se propozimi i mbrojtjes është i pabazuar.

“Sa i përket propozimeve të avokatit mbrojtës Teki Bokshit për hedhjen e aktakuzës konsideroj se ky propozim është i pabazë pasi që aktakuza e ngritur kundër të akuzuarit Armend Vokshi nga Gjakova për shkak të dyshimit të bazuar se e ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së, përmban prova të mjaftueshme që dëshmon se i njëjti ka kryer veprën penale”, deklaroi prokurori Matjani.

Për vendimin e radhës lidhur me këtë çështje palët në procedurë do të njoftohen me shkrim nga kjo Gjykatë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

http://kallxo.com/kthehet-ne-rivendosje-gjykimi-i-armend-vokshit/

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-drejtorit-armend-vokshi-per-pajisjen-e-zerimit/