Gjykimi i avokatit - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i avokatit, dëshmitari flet për shumat e të hollave që i mori i pandehuri

Në gjykimin ndaj avokatit Haxhi Çekaj, i cili po akuzohet për mashtrim, dëshmitari i radhës tregoi për shumat për të cilat tha se i janë dhënë avokatit me qëllim të mbrojtjes së një klienti.

Avokati Haxhi Çekaj po akuzohet për mashtrim të së bijës së njërit nga klientët e tij me ç’rast, sipas Prokurorisë, i akuzuari në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar shumën prej afro 83 mijë eurove.

Dëshmitari i radhës Nazmi Selmanaj, mik i familjes të së dëmtuarës Mirjeta Imeraj, i cili gjatë dëshmisë së tij rrëfeu për shumat e parave të cilat tha se i janë dhënë avokatit Çekaj me qëllim të mbrojtjes së babait të së dëmtuarës, deklaroi se të gjitha ato shuma të parave për të cilat flitet, të akuzuarit i janë dhënë duke u bazuar në idetë dhe iniciativat e të dëmtuarës e cila kishte deklaruar se është e gatshme të bëjë çdo gjë çfarë është e mundur vetëm e vetëm që të provohet pafajësia e babait të saj.

Dëshmitari Selmanaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit tregoi edhe për ekspertizën e cila është dashur të bëhet në Turqi  për të cilën tha se avokatit Çekaj i është dhënë shuma në vlerë prej 13 mijë eurove të cilat kanë qenë të dedikuara për ekspertizë ndërsa për shkak se ekspertiza është vonuar ai tha se avokati u kishte thënë se duheshin edhe 2 mijë euro të tjera për të paguar një person që të shkojë dhe ta marrë ekspertizën.

Për këto 2 mijë euro që janë dhënë për të shkuar dhe për ta marrë këtë ekspertizë dëshmitari tha se më vonë është njoftuar nga avokati Çekaj se askush nuk do të shkojë dhe se nuk do të paguhet për këtë shërbim.

Ai madje tha se Çekaj kishte dashur t’ua kthente të hollat në vlerë prej 2 mijë eurove por ata i kishin thënë që t’i mbante se do të barazoheshin në fund.

Por kur dëshmitari u pyet lidhur me disa para të cilat mund të kenë qenë të dedikuara për trupin gjykues, ai tha se nuk po e kuptonte se për çfarë po bëhej fjalë.

“A të kujtohet që të kam telefonu dhe të kam thënë a është normale kjo, çka po bohet me Gjykatë? A kemi biseduar diçka në lidhje me trupin gjykues?”, e pyeti dëshmitarin e dëmtuara Mirjeta Imeraj.

“Nuk po e di se për çka është fjala se ne kemi biseduar shumë herë. Kemi biseduar rreth zhagitjes së këtij procesi pasi që kishin kaluar më tepër se 2 vite dhe gjërat kishin mbetur në fillim. Gjithmonë temë kryesore ka qenë kjo se N.B. është vetëm një viktimë e një procesi të montuar”, iu përgjigj dëshmitari.

“A ka lypë pare dikush?”, e pyeti më pas dëshmitarin kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Valbona Selimaj.

“Jo, askush. Po flas çka di unë”, u përgjigj dëshmitari.

Lidhur me këto konstatime të dëshmitarit, avokati Besnik Berisha e pyeti dëshmitarin nëse mund të thuhet se në bazë të asaj se çfarë u tha më lartë vijmë në përfundim se i akuzuari Haxhi Çekaj asnjëherë nuk ka bërë ndonjë pagesë lidhur me rastin e babait të së dëmtuarës pa i pyetur fillimisht familjarët e tij.

“A pajtohesh me mua se Haxhi Çekaj asnjëherë nuk ka bërë asnjë shpenzim për lëndën e N.B. pa biseduar dhe pa u dakorduar në mes juve treve?”, e pyeti avokati Berisha dëshmitarin.

“Unë e di për qashtu”, tha dëshmitari, i cili shtoi se si ai si familja e klientit të avokatit Haxhi Çekaj kanë qenë të kënaqur me shërbimet e avokatit.

Edhe vetë avokati Haxhi Çekaj i parashtroi disa pyetje dëshmitarit, me ç’rast e pyeti lidhur me një telefonatë për të cilën tha se e dëmtuara e kishte pranuar përderisa ai së bashku me dëshmitarin dhe të dëmtuarën kishin qenë duke qëndruar në një kafene.

I akuzuari Çekaj tha se përderisa kishin qenë të tre së bashku në një kafene, e dëmtuara kishte pranuar një telefonatë nga Policia.

“Ne jemi befasuar të dytë dhe i kemi bërë pyetje se pse ty me të thirrë policia? Ajo na ka thënë: Për rastin e babës, Policia e Prishtinës. A është kështu, a të kujtohet se kështu ka thënë?”, pyeti i akuzuari Çekaj.

“Po, më kujtohet se ka thëne për rastin e babës por Policia e Pejës a e Prishtinës s’e di a është përmendur”, u përgjigj dëshmitari.

Por një gjë të tillë e mohoi e dëmtuara, e cila reagoi duke thënë se atë ditë atë e kishte telefonuar nëna e cila e kishte njoftuar se e kanë thirrur disa policë dhe se ajo personalisht nuk kishte biseduar me ta në telefon.

Procesi gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Valbona Musliu-Selimaj, Naime Krasniqi-Jashanica si dhe Vesel Ismajli ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri në ditën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas Prokurorisë, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të së dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.