Fotografi e KALLXO.com nga protesta e 9 janarit

Gjykimi i Dy Protestuesve të 9 Janarit

Zymberi e Neziri akuzohen nga prokuroria për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm në mënyrë frikësuese ose kërcënuese.

Sipas prokurorisë dy të akuzuarit këto vepra penale i kryen në protestën opozitare të 9 janarit kundër marrëveshjeve për demarkacionin e asociacionin dhe për dorëheqje të qeverisë.

Në seancë, mbrojtja e të dy të akuzuarve kundërshtoi aktakuzën.

Drita Gashi, avokate e Fidan Zymberit tha se në materialet e përdorura si prova nga kjo protestë, nuk shihen qartë veprimet që kreu klienti i saj.

“Në bazë të shkresave të lëndës dhe të një videoje e cila mund të gjendet në YouTube, fotove që janë nxjerrë në atë video, nuk mund të shihen me saktësi se cilat janë veprimet e Fidan Zymerit, sepse aty nuk shihet se i njëjti kishte kotej mollotovi apo diçka tjetër. Fidan Zymeri vetëm është munduar që një protestuesi t’ia heq mjetin prej dore në mënyrë që të parandalojë një dëm të mundshëm,” tha Drita Gashi.

Avokatja e Besnik Nezirit, Drita Hoxha k[rkoi që klienti i saj të mos akuzohet edhe për përdorim të armës, edhe për shkaktim të rrezikut.

“I mbrojturi im është akuzuar njëkohësisht me dy vepra penale që vijnë nga i njëjti kapitull e ku njëra e konsumon veprën tjetër penale, prandaj i propozoj gjykatës që nëse nuk e hedh këtë aktakuzë prokuroria ta rregullojë çështjen e dispozitivit 1 dhe 2, nëse mendon se i mbrojturi im e ka hedh gazin, por ai vetëm  e ka larguar atë,” tha Drita Hoxha.

Prokurorja Besa Limani kundërshtimet e aktakuzës i cilësoi të pabaza.

“ Kërkesat për kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet për t’i pranuar, për shkak se ka prova  që dëshmojnë për një dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale dhe kjo do të vërtetohet gjatë administrimit të provave. I propozoj gjykatës që të vazhdojë me caktimin e shqyrtimit gjyqësor,” tha Besa Limani.

Avokatet e të akuzuarve kërkuan që të mbrojturit e tyre të lirohen nga masat e caktuara të sigurisë. Fidan Zymberi ndodhet në arrest shtëpiak, ndërsa Besnik Neziri e ka të detyrueshme paraqitjen në polici.

Gjyqtari i këtij rasti tha se do të shqyrtojë me kujdes pretendimet për kundërshtimin dhe mbrojtjen e aktakuzës dhe kërkesën për lirim nga masat e sigurisë së të akuzuarve, ndërsa për vendimet do t’i njoftojë palët.

Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Fidan Zymberit dhe Besnik Nezirit e ngriti më 26 shkurt të këtij viti. Sipas aktakuzës, të pandehurit si pjesëmarrës të protestës së 9 janarit në Prishtinë kanë përdorur mjete të rrezikshme duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Zymberin prokuroria e akuzon se në protestën e 9 janarit pas eskalimit të situatës ka gjuajtur koktej mollotovi në drejtim të policisë dhe  të objekteve qeveritare.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Besnik Zymberi pas eskalimit të situatës në protestën e 9 janarit ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të policisë dhe ndërtesave qeveritare.

KALLXO.com e pati ndjekur direkt këtë protestë dhe momentin kur ajo eskaloi.

http://kallxo.com/opozita-ne-proteste-kunder-qeverise/

http://kallxo.com/si-eskaloi-protesta-e-9-janarit/

Sipas Kodit Penal të Kosovës për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm parashihet dënimi nga gjashtë muaj deri në pesë vjet ndërsa për përdorim të armës në mënyrë kërcënuese, dënimi mund të jetë me burg nga 1 deri në 10 vjet, ose të shqiptohet gjoba deri në 10 mijë euro.