Gjykimi i Avokatit për Dëmtim të Komunës

Afrim Radoniqi akuzohet nga Prokuroria në Gjakovë se derisa ishte avokat publik i komunës ka kryer veprat penale konflikt interesi, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Prokuroria pretendon se Radoniqi këto vepra i kreu duke ua dhënë pronën komunale në sipërfaqen 0.16.74 hektarë trashëgimtarëve të Avdullah Halim Kastratit si kompensim për një pronë nga e cila ata u shpronësuan, edhe pse sipas aktakuzës për këtë pronë kjo familje ishte kompensuar në vitin 1984.

Dëshmitari Qaush Jakupaj, jurist në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Gjakovës tregoi kush ka kompetenca për të bërë shpronësime.

“Nëse i referohemi ligjit aktual te çështja e shpronësimit, ligji i cili është ende në fuqi, kompetencë për shpronësime ka kryetarja-kryetari i komunës, ose nëse kuvendi komunal e autorizon një person të caktuar,” tha dëshmitari Jakupaj.

Dëshmitari Jakupaj u pyet nga Ndrec Dodaj, avokati i Afrim Radoniqit se a dinte që familja Kastrati ishte kompensuar për shpronësimin, siç pretendon prokuroria.

“Prova në shkresa të lëndës nuk ka pasur dhe se a është kompensuar nuk e di,” tha dëshmitari.

Radoniqi akuzohet edhe se për interesa financiare mori pjesë në përfaqësime të palëve nëpër gjykatat e Kosovës, edhe pse ishte avokat publik i Gjakovës dhe kishte pezulluar punën e tij private në Odën e Avokatëve.

Si dëshmitar sot ishte paraparë edhe Ismet Ahmeti, drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi”, por ai kishte njoftuar gjykatën se ndodhej me punë zyrtare jashtë shtetit.

Të pranishëm në gjykatë nuk ishin as Naim, Qemajl e Muhamet Kastrati që gjithashtu duhej të dëshmonin, por gjykata për ta nuk kishte prova nëse kishin marrë ftesë në mënyrë të rregullt.

Seanca e radhës në gjykimin e ish-avokatit të komunës u caktua më 1 korrik.