Gjykimi ndaj Haxhi Çekajt - 22.02.2019 - KALLXO

Gjykatësja sëmuret, dështon seanca ndaj avokatit Çekaj

Dështon seanca gjyqësore në gjykimin ndaj avokatit Haxhi Çekaj, i cili po akuzohet për mashtrim. Seanca gjyqësore ishte paraparë të mbahej sot, mirëpo nuk është mbajtur në mungesë të kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Selimaj.

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli njoftoi  se për shkaqe shëndetësore sot nuk është prezente gjykatësja Selimaj.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës gjyqësore, gjykatësi Vesel Ismajli tha se në konsultim me gjykatësen Valbona Musliu- Selimaj datën e mbajtjes së seancës së radhës e caktoi me 18 prill.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Valbona Musliu Selimaj, Naime Krasniqi Jashanica si dhe Vesel Ismajli, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.