Çekani i drejtesise - Ilustrim

Gjykatësja Saliuka kërkon dëmshpërblim 700 mijë Euro nga gazeta ‘Kosova Sot'

Makifete Saliuka, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, tash e disa vite është në kontest civil pasi ka paditur gazetën “Kosova Sot” për kompensim dëmi në vlerë 700.000 euro.

“Kompensim dëmi moral – jomaterial për shpifje dhe fyerje përgjatë vitit 2011-2012”, thuhet në padinë e gjyqtares Saliuka.

 

https://kallxo.com/askush-nga-kosova-sot-nuk-po-paraqitet-ne-gjykate/

 

Por në disa seanca të caktuara nga gjyqtari Atdhe Berisha, nga e paditura “Kosova Sot” nuk po paraqitet asnjë avokat apo përfaqësues.

E njëjta situatë u shfaq edhe në seancën e datës 15 mars, ku nga e paditura “Kosova Sot” nuk është paraqitur askush për ta përfaqësuar.

Me pëlqimin e përfaqësuesit të Saliukës, avokati Selim Nikçi propozoi që seancat gjyqësore të vazhdojnë dhe të mbahen pa praninë e të paditurës.

Gjykatësi Athe Berisha, përkundër shumë tentimeve që të sigurojë adresën dhe praninë e të paditurës, vazhdoi me gjykimin dhe me leximin e provave materiale të shumta të propozuara në këtë proces.

Pasi u lexuan të gjitha provat ku përfshihen shumë tituj të ndryshëm të vendosur në kopertinat e gazetës “Kosova Sot” e që të gjitha ndërlidheshin me Makifete Saliukën, gjyqtari Atdhe Berisha caktoi datën 15 prill, për seancën e radhës.

Në atë seancë do të ftohen eksperti i psikologjisë dhe ai i psikiatrisë, për të dhënë sqarime për ekspertizat e tyre të përpiluara ku ka dhënë vlerësime për dëmin jo – material që i është shkaktuar paditëses Saliuka.

Paditësja Makifete Saliuka pretendon se e paditura “Kosova Sot” të gjithë fushatën e saj e ka drejtuar pronari Ruzhdi Kadriu me të bijën Margarita Kadriu.

Paditësja Saliuka në padinë e saj thotë se: “Gazeta Kosova Sot përmes gazetarëve të saj në vazhdimësi për 3 vite ka bërë shpifje, fyerje dhe kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj, me çka ka ushtruar dhunë psiqike, por edhe presion në punën e saj si gjyqtare për edhe si ushtruese detyre e kryetares së Gjykatës”.

E sipas paditëses Saliuka, krejt kjo “Me qëllim të hakmarrjes duke i sulmuar vrazhdë Saliukës nderin, autoritetin, dinjitetin me poshtërim të vazhdueshëm më të dhëna absolutisht të pavërteta duke cenuar edhe privatësinë dhe sigurinë fizike të saj dhe familjes së saj”, thuhet në padinë e Makifete Saliukës.

Sipas paditëses e gjithë kjo me qëllim për t’ju hakmarrë, sepse Saliuka në kohën sa ishte gjyqtare ka gjykuar lëndën civile, sipas padisë së paditësit Lulzim Rexha nga Prekazi, e cili kishte paditur gazetën “Kosova Sot” për kompensim dëmi të cilin e ka kërkuar Lulzim Rexha.

Si ish-punëtor i gazetës, Lulzim Rexha kishte paditur gazetën “Kosova Sot”, për humbjen e krahut të djathtë deri në nivelin e nën-bërrylit si pasojë e lëndimit në vendin e punës.

Paditësja Saliuka në padinë e saj thekson se me aktgjykimin e datës 2006 me të cilin i është aprovuar pjesërisht padia e Lulzim Rexhës, e pas ankesave të palës, edhe dy instancat më të larta atëherë Gjykata e Qarkut, dhe Gjykata Supreme nuk kanë konstatuar as më të voglën shkelje procedurale nga gjyqtarja e atij rasti, respektivisht gjyqtarja Makifete Saliuka.

Lidhur me këto paditësja si prova i ka dorëzuar Gjykatës të tre aktgjykimet e rastit, atë të Gjykatës Komunale, të Gjykatës së Qarkut dhe të Gjykatës Supreme.

Më tutje në padi Makifete Saliuka ka sqaruar se përveç shkrimeve gazeta e paditur kundër saj ka paraqitur kallëzime penale të rreme kinse “për marrjen e vendimit të kundërligjshëm me qëllim përfitimi për vete apo të tjerët”, pastaj akuzë private “për shpërdorim të detyrës zyrtare”, e që sipas padisë këto janë hedhur poshtë, ku në padi janë bashkangjitur edhe Aktvendimet e Prokurorisë Publike, e të Gjykatës së Qarkut në Prizren.