FOTO ARKIV

Gjykatësja në Trajnim, Shtyhet Gjykimi për Ryshfet

Për shkak se gjyqtarja e rastit, Valbona Selimaj, ishte në një trajnim që ka të bëjë me krimet e luftës, është shtyrë seanca gjyqësore në rastin ku të akuzuar janë Ferdije Zhushi, Naim Braha, Armend dhe Basri Muja.

Shtyrjen e kësaj seance për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Në seancat e mbajtur më parë, te akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.

Ferdije Zhushi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Bashkë me Zhushin, që ishte zyrtare në Agjencinë e Akreditimit, po akuzohet për të njëjtat vepra kolegu i saj nga kjo Agjenci, Basri Muja, ndërsa ish-punonjësi i UNDP-së, Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, e Naim Braha për dhënie të ryshfetit.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi, e cila ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim, dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës i UNDP-së, u arrestuan në nëntor të vitit të 2014.