Gjykatësit e Prokurorët Duan Oksigjen

Arsyeja kryesore për protestë ka qenë mungesa e oksigjenit në hapësirat e Pallatit të Drejtësisë, si dhe kushtet e tjera të punës në këtë pallat.

Pallati i Drejtësisë po përballet me defekte të shumta infrastrukturore që nga dita e parë e përurimit të tij, në fillim të këtij viti.

Gjatë vitit janë raportuar shumë mangësi në funksionimin e kësaj ndërtese pavarësisht pranimit teknik të tij.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi tha se gjendja është kritike dhe se në një të ardhme shumë të afërt puna mund të ndërpritet në tërësi.

“Ne jemi ardhur në situatë që nuk kemi mundësi të punojmë, ndihet mungesë e oksigjenit në shumicën e hapësirave të këtij pallati dhe çka është më keq diku temperatura shkon deri në 40 gradë celsius, ndërsa diku temperatura është 16 deri në 18 gradë. Prandaj jemi në një gjendje kritike që nëse nuk zgjidhen këto probleme, ne në një të ardhme të afërt jemi të detyruar që të ndërprejmë punën tërësisht”, tha Ibrahimi.

Prokurori i cili ka hetuar këtë rast, Blerim Igrishta, tha se tani rasti ka kaluar për hetim në krimet e rënda.

“Hetimet kanë filluar dhe një kohë jam marrë unë me to sa ka qenë kompetencë e imja, tash kanë dalë në kompetencë të krimeve të rënda,” tha prokurori Igrishta.

Igrishta tregoi se është hetuar për keqpërdorim të autorizimit në kryerjen e detyrës zyrtare dhe ndërtim të kundërligjshëm.

Ai gjithashtu tregoi se së fundmi është bërë një ekspertizë lidhur me oksigjenin në këtë pallat.

“Ekspertiza është bërë prej një firme që e ka licencën gjermane prej qeverisë gjermane. Ekspertiza ka ardhur dhe për fat të keq ka dalë shumë e keqe që sipas ekspertëve këtu çdo minutë rrezikohet jeta dhe shëndeti i personave që punojnë në pallat. Kjo është arsyeja më e fortë që na bën të dalim e të protestojmë dhe të mos pajtohemi me kushtet që i kemi këtu”, tha Igrishta.

Asllan Rusinovci, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, paraqiti dokumentin e marrë nga Instituti Shëndetësor në të cilin kërkohet ruajtja e shëndetit të punëtorëve në këtë ndërtesë.

“Unë do ta përmend një vlerësim prej Institutit Shëndetësor i cili thotë:  Të kërkojë nga investitori, Zyra e Komisionit Evropian, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike që të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e njerëzve që janë duke e shfrytëzuar objektin”, lexoi të gjeturat e ekspertizës Rusinovci.

I brengosur për gjendjen në Pallatin e Drejtësisë, u duk edhe Sadri Llumnica, shef i shkrimores në prokurori.

“Është dalë një ekspertizë edhe herën e kaluar, një zyrtar i lartë i këshillit ka thënë se sipas mjekëve dëmi në shëndetin e njeriut është i pariparueshëm”, tha Llumnica.

Punëtorët në Pallatin e Drejtësisë thanë se protestat do të vazhdojnë nëse nuk ndërmerren hapa në zgjidhjen këtij problemi.