Vladimir Mikula, gjyqtar i Gjykatës Speciale. Foto: Kallxo.com

Gjykatësi që darkoi me avokatin e Sami Lushtakut i interesuar për rastin ndaj veteranëve ku avokati Koci është palë në procedurë

KALLXO.com gjatë mbrëmjes së djeshme ka raportuar për një takim në mes të gjykatësit të Gjykatës Speciale Vladimir Mikula dhe avokatit Arianit Koci, por ky nuk është vendi i vetëm ky të njëjtit janë parë së bashku.

KALLXO.com ka raportuar edhe në një rast tjetër kur gjykatësi Mikula është parë në gjykimin ndaj veteranëve.

Në ditën e caktuar për mbajtje të shqyrtimit fillestar lidhur me këtë rast, në sallë të Gjykatës është parë edhe gjykatësi i Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula.

Përpos interesimit të madh të mediave dhe publikut për të përcjellë më afër procesin gjyqësor të njohur si “Veteranët e rrejshëm”, atë ditë kureshtar si duket ishte bërë edhe Gjyqtari i Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula.

Gjykatësi Mikula kishte ardhur që personalisht ta përcillte këtë seancë gjyqësore.

Kujtojmë se në këtë proces gjyqësor palë në procedurë është edhe avokati Arianit Koci i cili në këtë rast gjyqësor e mbron deputetin nga radhët e AAK-së, të akuzuarin Shkumbin Demalijajn.

https://kallxo.com/gjykatesi-i-gjykates-speciale-i-pranishem-ne-gjykimin-e-veteraneve/

Mbrëmë KALLXO.com ka raportuar për darkën që në video dhe foto është parë gjykatësi Mikula dhe avokati Koci.

Ndonëse në mbrëmjen e së hënës u panë duke darkuar së bashku në mes miqsh, Koci në një deklaratë për KALLXO.com e mohoi se takimi ka qenë i aranzhuar më parë.

https://kallxo.com/video-takim-misterioz-i-gjyqtarit-te-speciales-dhe-eulex-me-avokatin-e-sami-lushtakut/

Bëjmë të ditur se avokati Arianit Koci, është edhe avokat i Sami Lushtakut, i cili është në mesin e personave që së fundmi u intervista nga Gjykata Speciale në Hagë të Holandës.

Lidhur me takimin e tij me gjykatësin Mikula, avokati Arianit Koci ka thënë shkurt për KALLXO.com se kishte dalur në një vend publik me gruan e tij dhe shoqet e saja, ndërsa nuk e kishte ditur se në tavolinën e darkës do të ishte edhe gjykatësi Mikula.

KALLXO.com lidhur me këtë rast ka kontaktuar edhe me zyrën për medie e Gjykatës Speciale.

Me ç’rast zyra për medie e Gjykatës Speciale ka konfirmuar për KALLXO.com se Vladimir Mikula është gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

https://kallxo.com/thellohet-skandali-gjykata-speciale-konfirmon-personi-qe-u-takua-me-avokatin-e-sami-lushtakut-gjykates-special/

Sipas zyrës për informim, gjyqtari Mikula figuron në regjistrin e gjyqtarëve ndërkombëtarë.

“Gjyqtari Mikula është caktuar në regjistrin e gjyqtarëve ndërkombëtarë. Gjyqtarët në regjistrin e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës janë vetëm të obliguar të ushtrojnë funksionet zyrtare sipas kërkesës dhe sipas caktimit nga Presidenti i DhSK, Presidentja Trendafilova”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Gjykatës Speciale.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zyrën për medie te EULEX-it të cilët kanë bërë të ditur se Vladimir Mikula aktualisht mban pozitën e Monitoruesit për Drejtësi në këtë Mision.

“Vladimir Mikula aktualisht është Monitorues për Drejtësi që shërben në EULEX”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.