Foto: Kallxo.com

Gjykatësi në udhëtim, shtyhet gjykimi ndaj ish-Drejtorit të Bankës

Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues Vesel Ismajli të martën është shtyrë seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar Ismajl Rudari.

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu- Selimaj tha se gjyqtari ka udhëtuar sot jashtë vendit, dhe për këtë arsye shtyu seancën e sotme për një ditë tjetër.

Të pranishëm në seancën gjyqësore ishin prokurori Arian Gashi, përfaqësuesja e autorizuar e bankës NLB Erina Gashi, si dhe i akuzuari Ismajl Rudari me mbrojtësin e tij, avokatin Naser Sopjani.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 17 dhjetor.

Në këtë gjykim Ismajl Rudari po akuzohet me pretendimin se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të Bankës NLB, gjatë periudhës kohore 2003-2005, i ka shkaktuar bankës në fjalë dëm në vlerë prej 305.420,71 euro.

Në aktakuzë theksohet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të përvetësimit të pasurisë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private.

Aktakuza thotë se disa nga këto kompani private ishin NTPSH “Beargo”, në shumën prej 159,193 euro, NB “Limani” në vlerë prej 15,692 euro, NTP “Irsija-Cos” në shumë prej 8,169 euro, NT “Xheneti” në vlerë prej 91,013 euro, NTP “Elektro Vali” 6,604 euro dhe NTP “Altini Comerc” në shumën prej 30,747 euro.

https://kallxo.com/perseri-ska-prokuror-ne-gjykimin-e-ish-drejtorit/