Gjykata në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Gjykatësi i sëmurë, dështon seanca ndaj 41 të akuzuarve për kontrabandë të stimuluesve seksualë

Mungesa e anëtarit të trupit gjykues Sinisha Mandushiq ka bërë që të dështojë seanca e gjykimin ndaj 41 të akuzuarve.

Gjykatësi i rastit, Burim Ademi, ka thënë para palëve se gjyqtari Sinisha Mandushiq ka probleme shëndetësore andaj nuk mund të prezantojë në seancë.

Për këtë arsye edhe nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë nesër ashtu siç ishte caktuar në seancën e kaluar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet.

Gjithashtu, të akuzuarit në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”.

https://kallxo.com/deshton-seanca-ne-gjykimin-e-te-akuzuarve-edhe-per-kontrabandim-te-viagrave/

Në këtë mënyrë Argëtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Çalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavxhiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkëlzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollçaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaçkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami akuzohen se në grup të organizuar duke u shmangur nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore  apo tarifave të tjera me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave të llojit cigare, produkte farmaceutike dhe stimuluesve seksualë që rezultojnë me shmangie të përgjithshme doganore në shumë prej 1.666.842.07 euro dhe njëkohësisht duke iu shmangur obligimeve tatimore për mallrat e lartcekura dhe mosdeklarimit të saktë të pasqyrave financiare që rezultojnë në shumën prej 2,430,620.16 e që njëkohësisht është përfitim i kundërligjshëm gjatë periudhës së aktiviteti kriminal të këtyre të pandehurve të lartcekur.

https://kallxo.com/ndihen-te-pafajshem-42-te-akuzuarit-per-krim-te-organizuar/

Në këtë grup të akuzuar janë edhe zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Jarinjes, Mensur Bekteshi, Vladislav Trajkoviq dhe Ramadan Bajra, që në këtë proces gjyqësor akuzohen për keqpërdorim detyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë këta e kanë ditur që janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, për çka mund të dënohen me burgim mbi katër vite, mirëpo prapë kanë realizuar dëshirën e tyre me qëllim të realizimit të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore.

Në 19 pika të aktakuzës është përshkruar veç e veç veprimi i secilit prej të akuzuarve.

Ky gjykim është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.