Gjykimi-i-Arben-Bashotes-foto-KALLXOcom

Gjykatësi: I akuzuari Arben Bashota kërkoi të fliste urgjentisht me mua

Në gjykimin për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, rast ky i shënjestruar për liberalizim të vizave, kanë dëshmuar dy dëshmitarë.

Me të hapur seancën, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, para të gjithë palëve në procedurë, tregoi për një takim të cilin e kishte zhvilluar me të akuzuarin Arben Bashota, takim ky i kërkuar nga ky i fundit.

“Më 2 korrik 2018 kryetari i trupit gjykues ka pas një komunikim me Arben Bashotën në gjykatë, i cili ka thënë se është urgjent, paraprakisht i njëjti ka thirr 3-4 herë në telefon. Unë i thash edhe atij që këtë bisedë kemi me ia bartë edhe personave tjerë, i njëjti ka thënë ‘unë kam shumë me fol’, unë e kam inkurajuar që ke me e dhënë mbrojtjen ashtu kështu do të flasësh. Kjo është për korrektësi sepse edhe atij i kam thënë ta kesh parasysh se do t`i njoftoj të gjitha palët. E kam sugjeruar që herën tjetër nëse dëshiron të bisedojë lirisht le të merr edhe mbrojtësen, prokuroren, të dëmtuarit, le t`i thërrasim të gjithë palët dhe bisedojmë. Do të thotë ky komunikimi “eksparte” ndalohet”, tha gjykatësi Hoti.

Por, përveç për të akuzuarin, gjykatësi Hoti pati disa fjalë edhe për avokaten e të akuzuarit Bashota, Aurora Mulhaxha.

“Le që Arbeni (i akuzuari) por, edhe mbrojtësja e Arbenit (avokatja Aurora Mulhaxha) ka fillu diçka me do…  nuk po du me dyshu në qëllimin, e mirë tëndin, ti e di për çka e kam fjalën, sa të muj kam me mbajtë nivelin, nuk hi në spekulime, unë nuk di me operu në atë nivel, më mundni me thashetheme, se nuk di unë ashtu. Kjo ishte sa për korrektësi”, shtoi Hoti.

Ndryshe, bashkëshortja e të akuzuarit Osman, Emigrate Morina, si dhe i biri i tani të ndjerit Marko, Dragan Mitroviq, ishin dëshmitarët e radhës të ftuar në gjykatë.

Tani i ndjeri Marko Mitroviq, njëherë kishte qenë i akuzuar për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rremë lidhur me pronën kontestuese, vepër kjo për të cilën më pas ishte liruar.

Djali i tij, i cili dëshmoi në seancë, tha se në tokën kontestuese ka punuar babai tij dhe disa familjarë të tjerë para se të bëhej lufta, por që pas luftës ajo tokë kishte kaluar në pronësi të KBI- Dobreva.

“Në kohën kur ka filluar procesi, njëherë kanë ardhur disa njerëz të quajtur Nasuf, Shaban, kanë ardh në shtëpi dhe e kanë sjellë një avokat me emrin Skender Dumani, i cili i ka thënë babait se do të ja kthejnë tokën në mënyrë legale, por duhet të heqësh dorë të thuash se toka nuk është toka jote, e pastaj kanë ardh persona të ndryshëm dikund në periudhë prej 2 viteve nga 10 persona kanë ardhur çdo natë, atëherë ka ardh edhe Arben Bashota”, deklaroi dëshmitari.

“Arben Bashota ka thënë kjo është toka yte dhe e imja, ai më ka thënë vetëm jepma autorizimin unë do t`i jap 50 mijë euro, ndërsa babai im ka thënë edhe 1 milion euro me mi dhënë nuk ta jap, se jam në proces në gjyq për t`u bërë legale”, deklaroi tutje dëshmitari, duke theksuar se më pas babai i tij e ka përzënë Bashotën nga shtëpia.

Ai theksoi se nuk ka pranuar “asnjë cent” nga kjo tokë.

Ndërsa, dëshmitarja tjetër, bashkëshortja e të akuzuarit Osman Bajrami, u pyet nga prokurorja e rastit, Merita Bina- Rugova, se çfarë informata ka për parcelën në fjalë.

E njëjta u përgjigj se bashkëshorti i saj është investitor në atë tokë, me fjalë të tjera, sipas saj, u ka paguar të holla 6 pronarëve të tokës, kështu duke u bërë aksionar.

Ajo tha se bashkëshorti i saj ka qenë i angazhuar nga Xhavit Bashota për menaxhimin e qirasë, por asnjëherë nuk është përkthyer toka në emrin e tij.

E pyetur nga prokurorja se përse ajo ka shkuar në këtë parcelë më 5 janar 2016, kur vetëm se ishin arrestuar të akuzuarit? E njëjta tha se ka shkuar për të marrë qiranë.

“Pasi që bashkëshorti im Osman Bajrami ka pasur për detyrë menaxhimin e qirave, mua si bashkëshorte e tij më ka takuar ta vazhdojë, nuk kemi qenë më herët ose më vonë, por saktë në ditën e dorëzimit dhe dorëzimi i faturave ka ndodhur prej 1 deri më 5 të çdo muaji”, deklaroi dëshmitarja.

Deri tek këto pyetje erdhi pasi që në seancat e kaluara të dëmtuarit në këtë çështje penale kanë pretenduar se edhe pas arrestimit të të akuzuarve, bashkëshortet e tyre kanë ardhur përsëri për ta marrë qiranë që sipas tyre nuk u takon.

Në këtë rast Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.