FOTO KALLXO

Gjykatat i dënuan më rëndë qytetarët se Sami Lushtakun, Dardan Gashin e Endrit Shalën

Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë, sot ndau një ‘drejtësi’ për tre persona me përgjegjësi publike.

Dy prej tyre ministra të ‘Qeverisë Haradinaj’, të cilët menaxhojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës. Dardan Gashi, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike u gjobit me 1,700.00 euro, kurse Endrit Shala ministër i Tregtisë dhe Industrisë u gjobit me 2,400.00 euro. Ndërsa ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku me 1,700.00 euro. Këto gjoba gjykata ua shqiptoi pasi i gjeti fajtorë për gjuajtjen me armë zjarri në odën e zëvendëskryeministrit dhe liderit të NISMA-s Fatmir Limaj në Banjë të Malishevës.

Rastet kur qytetarët kanë mbetur të vdekur, apo me pasojë për tërë jetën nga plumbat qorr nuk janë të pakta në Kosovën e pasluftës.

KALLXO.com ka raportuar me dhjetëra raste të tilla ku qytetarët kanë mbetur të vdekur, apo edhe me lëndime të përhershme si pasojë e goditjeve që kanë marrë nga plumbat qorr

E vendimin e fundit nga Gjykata e Malishevës e ka komentuar gazetari Kreshnik Gashi.

Gashi, dënimin për gjuajtje me armë në odën e Limajt e ka krahasuar me dënimin ndaj deputeteve Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiut.

Sipas Gashit me anë të këtij vendimi Gjykata po krijon standarde të dyfishta ndërmjet personave të ndryshëm të gjykuar për të njëjtën vepër penale.

https://kallxo.com/gashi-albin-kurti-u-denua-me-1-3-vjet-burg-per-armembajtje-standardi-duhet-te-vleje-edhe-per-sami-lushtakun/

Kujtojmë se për të njëjtën vepër penale, Gjykata e Prishtinës deputetin Albin Kurti e ka dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, Albulena Haxhiun me 1 vit e 2 muaj burgim, Donika Kadaj-Bujupi me 1 vit e 3 muaj si dhe deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim.

Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës akuzoheshin për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin  e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse ish kryetari i Komunës së Skenderaj si dhe dy ministrat ishin të akuzuar për të njëjtën vepër penale, Gjykata atyre u shqiptoi vetëm dënim me gjobë për dallim nga deputet të cilët u dënuan me burgim me kusht.

Gazetari Kreshnik Gashi i ftuar në emisionin “Click” të Rtv21, kishte deklaruar se Gjykata duhet të përdor të njëjtin standard edhe në rastin e Endrit Shalës, Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve.

Kjo nuk është hera e parë kur Gjykata për të njëjtat vepra penale dhe po thuajse rrethana të njëjta të kryerjes së veprës penale, shqipton dënime drastikisht të kundërta.

KALLXO.com në vazhdimësi ka monitoruar dhe publikuar edhe raste të tjera kur për të njëjtat vepra penale të akuzuarve Gjykata u ka shqiptuar dënime  shumë të ndryshme.

Ndryshe nga udhëheqësit e institucioneve publike të cilat para përgjegjësisë personale duhet të kenë edhe përgjegjësi institucionale, qytetarët e thjeshtë të cilët janë gjykuar për kryerjen e veprave të njëjta penale, Gjykatat tona u kanë shqiptuar dënime shumë më të ashpra.

https://kallxo.com/burg-kusht-per-bartje-te-sprejit/

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shqiptuar burgim me kusht prej gjashtë muajsh një vajze të re të cilës Policia i kishte gjetur në posedim një sprej.

Përgjatë shqyrtimit gjyqësor e akuzuara e kishte pranuar fajësinë dhe ishte penduar për posedim të sprejit me ç ‘rast e njëjta ishte deklaruar se sprejin e kishte mbajtur për tu vetëmbrojtur.

E me tetë muaj burgim me kusht ishte dënuar edhe një qytetar tjetër i cili qysh në seancën e shqyrtimit fillestar, menjëherë pasi i ishte lexuar aktakuza e kishte pranuar fajësinë duke shtuar se armën për të cilën akuzohej e kishte gjetur rastësisht dhe të njëjtën e kishte pasur në plan që ta dorëzonte në polici.

https://kallxo.com/burgim-kusht-per-armembajtje-pa-leje/

Një vit burgim me kusht Gjykata i kishte shqiptuar edhe një personi i cili kishte shtënë në ajër me armë zjarri për të larguar disa të panjohur nga oborri i tij.

Vetë i akuzuari e kishte pranuar veprën penale për të cilën akuzohej, ai veprimin e tij e kishte arsyetuar duke thënë se armën e kishte përdorur vetëm për qëllim të frikësimit të atyre personave të cilët kishin hyrë pa leje në oborrin e tij.

https://kallxo.com/denohet-personi-qe-shtiu-per-te-trembur-te-panjohurit-ne-oborr/

Po ashtu KALLXO.com ka shkruar edhe për raste të tjera kur Gjykatat kanë përdorur standard të dyfishta në mes të familjarëve të personave publik dhe qytetarëve të thjeshtë.

https://kallxo.com/7-muaj-burg-per-1-gram-marihuane-djali-i-prokurorit-ishte-liruar-per-sasine-e-njejte/