Aktgjykimi për rastin e Shukrije Berishës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Vërteton Pronësinë e Shukrije Berishës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ka vërtetuar pronësinë e Shukrije Berishës në pronën që ajo pretendon se i takon ligjërisht.

Sipas aktgjykimit, Shukrije Berisha si paditëse është pronare e 1/10 së paluajtshmërisë me sipërfaqe prej 0.03.76 hektar.

Po ashtu, Gjykata vërteton si pronë të saj 1/6 e shtëpisë, e cila ka sipërfaqe të përgjithshme 255.45 metra katrorë.

Sipas aktgjykimit, të paditurit Adem Berisha, Ilaz Berisha, Alije Ashiku, Fatmir Fetahu, Selvije Fetahu dhe Valdet Fetahu detyrohen që Shukrije Berishës t’ia njohin të drejtën e pronësisë si dhe t’ia mundësojnë shfrytëzimin e lirë dhe të papenguar të paluajtshmërisë.

Të paditurit i obligon Gjykata që t’i paguajnë shpenzimet procedurale prej 1,638 euro.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, vërtetimi i pronësisë për Shukrije Berishën është bërë në bazë të trashëgimisë në këtë pronësi të bashkëshortit të saj, i cili tashmë është i ndjerë.

“Në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar, Gjykata vërtetoi se kërkesëpadia e paditëses është pjesërisht e bazuar pasi nga provat e administruara Gjykata ka konstatuar se paditësja pretendon se të drejtën e pronësisë e ka fituar mbi bazën e trashëgimit të bashkëshortit të saj, i cili duke qenë njëri nga pasardhësit e të ndjerës Sofie Berisha (nëna e bashkëshortit të Shukrije Berishës), ka të drejtën në trashëgimi”, thuhet në arsyetimin e vendimit gjyqësor.

Aktgjykimi Shukrije Berisha

Këtë vendim, Gjykata e ka bazuar në paragrafin 3 të nenit 5 të Ligjit për Trashëgimi të Kosovës.

“E drejta në trashëgimi fitohet në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit, andaj paditësja Shukrije Berisha duke qenë bashkëshortja e tani të ndjerit Zeqir Berisha, i cili pas vetes nuk ka lënë asnjë trashëgimtar përveç bashkëshortes, ka fituar të drejtën e pronësisë në kuptim të nenit 4 dhe 5 të Ligjit për Trashëgimi”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Po ashtu, në këtë vendim gjyqësor thuhet se gjykata ka vërtetuar se Zeqir Berisha, bashkëshort i Shukrije Berishës, ka dhënë kontribut 30 % për ndërtimin e shtëpisë nga marrja e kredisë dhe nga paga e tij në atë kohë.

Shukrije Berisha më 15 dhjetor 2005 në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës kishte paditur vetëm Adem Berishën, ngase ai kishte hapur procedurën për shqyrtimin e trashëgimisë duke i marrë vetëm deklaratat vëllait të tij Ilaz Berishës dhe motrës së tij Alijes, sipas autorizimit të dhënë nga ata.

Paditësja kishte pretenduar se në ndërtimin e shtëpisë kontestuese kishin kontribuar vetëm ajo së bashku me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë dhe kunati tjetër në Gjermani, Ilaz Berisha.

Ajo kërkonte t’i njihej e drejta për përfaqësim në trashëgimi sepse ishte në martesë me kurorë, ndërsa kërkonte nga Gjykata që Adem Berishës t’i refuzohej e drejta mbi atë shtëpi.

Shukrije Berisha më 1 shkurt të këtij viti bëri ndryshim-rregullimin e kërkesëpadisë, duke shtuar për pesë numrin e të paditurve.

Sipas asaj kërkesëpadie, përveç Adem Berishës të paditur ishin edhe Ilaz Berisha, Alije Berisha-Ashiku, Fatmir Fetahu, Selvije Fetahu, Valdet Fetahu.

Në padinë e ndryshuar paditësja kishte kërkuar që të vërtetohet e drejta e pronësisë sipas certifikatës së pronësisë dhe që asaj t’i vërtetohet e drejta e pronësisë në gjysmën e shtëpisë.

Po ashtu, Shukrije Berisha pat kërkuar nga Gjykata që t’i detyrojë të paditurit që t’ia mundësojnë shfrytëzimin e lirë të pronës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

https://kallxo.com/tensionet-ne-gjykimin-per-shtepine/

https://kallxo.com/motra-dhe-dy-vellezer-kundershtojne-kunaten/

https://kallxo.com/mungon-e-paditura-ne-betejen-per-shtepine/