Gjykata vendosi për drejtorin e Urologjisë të dyshuar për ryshfet

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh drejtorit të Urologjisë në QKUK, Rexhep Kasumaj.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kasumaj është arrestuar ditë më parë pasi Policia kishte pranuar një informatë nga një qytetar se ai kishte kërkuar para për kryerjen e disa shërbimeve mjekësore.

“Mund të ju konfirmoj se sot me datë 06.07.2018 rreth orës 10:20, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike pas pranimit të një informacioni nga një qytetar, ka ndërmarrë disa veprime policore në drejtim të hetimit të një personi mbi dyshimin e bazuar të përfshirjes në veprën penale marrje ryshfeti”, kishte thënë më 6 korrik zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

https://kallxo.com/arrestohet-drejtori-i-urologjise-ne-qkuk-per-marrje-ryshfeti/

Ai shtoi se si rezultat i veprimeve të shpejta të hetuesve policor, është arrestuar në flagrancë i dyshuari i cili dyshohet se nga një qytetar ka marrë para për t’i kryer shërbime mjekësore.

“Në cilësi të provave materiale kanë konfiskuar paratë, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, shtoi Hoxha.