Gjykimi për vrasjen në restorant "Shega", foto: KALLXO.com

Gjykata Vendos për Rikonstruim të Vrasjes në Restorantin ‘Shega’

Xhevdet Topalli paraqiti ekspertizën balistike në gjykimin ku babë e bir, Besim e Besart Istrefi, akuzohen për vrasjen e dy personave.

Në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj 2014 pas një mosmarrëveshjeje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë pronari Besim Istrefi dhe djali i tij, Besarti, të akuzuar në këtë rast.

Në këtë proces i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në mars të vitit 2015.

Eksperti i balistikës Xhevdet Topalli deklaroi se i qëndron në tërësi ekspertizës së bërë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Bajram Sherifi, mbrojtës i te akuzuarit Besim Istrefi, eksperti tregoi për shpejtësinë e plumbit dhe për mënyrën e qitjes dhe po ashtu edhe për fuqinë e qitjes te armët e vjetra, e sidomos pistoletat.

“Ne nga Agjencia e  Forenzikës së Kosovës i kemi bërë tri raporte që kane të bëjnë me armët dhe gëzhojat e tyre dhe e kemi bërë ekzaminimin fizik e jo biologjik”, deklaroi eksperti i balistikës.

Pas dhënies se ekspertizës, trupi gjykues ne koordinim me palët në procedurë vendosen që në mbrëmjen e 1 korrikut të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes për këtë rast.

Të njëjtën ditë do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë.