Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Gjykata Themelore në Gjilan Bëhet me Kryetar

Gjykata Themelore e Gjilanit më në fund është bërë me kryetar.

Gjyqtari Ramiz Azizi do të udhëheqë me këtë Gjykatë.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar gjyqtari Ramiz Azizi është zgjedhur kryetar i kësaj Gjykate nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Azizi shërbente si gjyqtar në Departamentin e Përgjithshme të Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Ai diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1983, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2002.

Sistemit gjyqësor Azizi i’u bashkëngjit në vitin 2003, kur ka filluar të punojë si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Gjilan deri në vitin 2004.

Gjashtë vitet e ardhshme të karrierës së tij punoi si gjyqtar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje, kurse nga viti 2010 deri në vitin 2012 gjyqtari Azizi ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Gjilan.

Më 2013 ai mori detyrën e gjyqtarit mbikëqyrës të Degës në Novobërdë, ndërsa nga muaji korrik të vitit 2013 ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Përveç punës në sistemin gjyqësor, nga viti 1983 deri në 1985 ka punuar si profesor në shkollën e mesme Gjimnazi “Zenel Hajdini”.

Gjatë vitit 1987 ka qenë sekretar i shkollës fillore “Zenel Hajdini”.

Pastaj nga viti 1987 e deri në vitin 2002 ka punuar si sekretar-drejtor në Kooperativën Bujqësore “Malisheva” në Malishevë.

Një vit më vonë ai punoi si zyrtar ligjor dhe ushtrues detyre i drejtorit të Gjeodezisë në Komunën e Gjilanit.