Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Themelore në Gjakovë me rrethinë me mbi 40 mijë lëndë të pazgjidhura

Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Vaton Durguti tha se Gjykata Themelore e Gjakovës bashkë me degët në Rahovec e Malishevë, ka mbi 40 mijë lëndë të pazgjidhur.

Sipas tij janë gjithsej 64.602 lëndë të cilat janë në punë, 13.855 lëndë të pranuara, 24.267  lëndë të zgjidhura dhe 40.335 lëndë të pazgjidhura.

Vetëm në Gjykatën e Gjakovës, duke mos i përfshirë dy degët e saj në total janë pranuar 5.922 lëndë, të përfunduara 11.556 dhe kanë mbetur 14.288.

Ai tha se në këto lëndë hyjnë edhe lëndët e bartura nga vitet e kaluara.

“Sa i përket veprave të natyrës së Korrupsionit janë të bartura gjithsej 13 lëndë, ndërsa 11 të pranuara, 9 të kryera dhe 6 të tjera në punë”, tha kryetari Vaton Durguti.

Ndërsa 17 lëndë janë të dhunës në familjes, të kryera në afat të paraparë ligjor. 

Ky raport vjetor përfshinë statistikat për periudhën 1 janar deri më 30 nëntor 2018.

Vetëm nga Gjykata e Gjakovës, pa degët e saj, departamenti penal përkatësisht për krime të rënda janë 62 lëndë të pranuara, ndërsa të zgjidhura 66.

Nga departamenti i përgjithshëm 847 lëndë të pranuara dhe 808 lëndë të kryera, ndërsa nga departamenti civil 788 lëndë të pranuara dhe 775 lëndë të zgjidhura.

Departamenti për të mitur 41 lëndë të pranuara dhe 44 lëndë të zgjidhura, kurse kundërvajtjet 1209 lëndë të pranuara dhe 4374 lëndë të zgjidhura.

Kryetari Durguti foli edhe për lëndët e parashkruara ose të vjetërsuara, për të cilat nuk ka shifër të saktë dhe se në vazhdim do njoftohemi përmes zëdhënësit të gjykatës.

“Lëndë të parashkruara janë një numër shumë i vogël dhe kjo as për shkak të pengesave ligjore e as për shkak të mospunës së gjykatës”, tha Durguti.

Ai tha se këtë vit sistemit gjyqësor iu kanë bashkangjitur edhe dy gjyqtar të rinj, një gjyqtar në degën në Rahovec dhe një në degën në Malishevë, të cilëve do ti’u ndahen lëndët e gjykimeve të pacaktuara deri më tani.

Si kryesues i gjykatës ai tha se ka vend për të ngritur efikasitetin e punës në shërbim të qytetarëve dhe besimit të publikut.

Ai shtoj se çdo të hënë ka takim dhe  komunikim të drejtpërdrejtë të hapur me qytetar për çdo pengesë dhe ankesë që kanë ata.