Gjykata Supreme: Vendimi i Apelit i bëri favore Emin Beqirit

Një kolegj i gjykatësve të Gjykatës Supreme ka konstatuar se Gjykata e Apelit e ka favorizuar ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqirin, në një vendim të shtatorit të vitit të kaluar.

Në këtë përfundim Gjykata Supreme ka arritur pas shqyrtimit të Kërkesës për Mbrojtje të Ligjshmërisë, të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.

Më 4 maj, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj ish- drejtorit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës Emin Beqiri dhe biznesmenit Rrahim Hashimi.

Në shtator të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e avokatit mbrojtës të Emin Beiqrit, duke vendosur që të ndryshoj aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, kështu që Apeli kishte vendosur që të hidhej aktakuza ndaj Beiqrit dhe te pushohej procedura penale ndaj tij.

Kurse ndaj të akuzuarit tjetër, Rrahim Hashimi, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

https://kallxo.com/lirohet-ish-shefi-i-krimeve-ekonomike-te-policise-emin-beqiri/

Sipas  kësaj aktakuze të ngritur nga Prokuroria Speciale ish-drejtori i Krimeve Ekonomike, në Policinë e Kosovës dyshohej për shkak të veprave  penale ‘Keqpërdorim  i pozitës  apo autoritetit zyrtar’ , ‘Pengim i të provuarit” si dhe ‘Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre’.

Vendimi i Gjykatës Supreme që ka konstatuar shkelje në favor të Emin Beqirit është duke u punuar dhe do të bëhet publik së shpejti.

“Vendimi për këtë rast është duke u punuar, dhe në momentin që iu dërgohet palëve në procedurë, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, mediat mund të kenë qasje në të”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Supreme.

Javën e kaluar, Emin Beqiri është emëruar komandat i Policisë për rajonin e Ferizajt.

https://kallxo.com/drejtori-i-njesise-speciale-te-policise-behet-drejtor-i-rajonit-te-ferizajt/