Gjykata Supreme anulon dënimin e Agim Shahinit

Gjykata Supreme e Kosovës e ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i Agim Shahinit, Granit Vokshi, duke anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të Gjykatës së Apelit dhe duke kthyer çështjen në fillim.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Granit Vokshi.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, si dhe vëllai i tij, Skender Shahini, ishin dënuar me dënim me kusht  prej 18 muajve nëse kryejnë ndonjë vepër penale brenda 2 vjetësh.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri, ndaj kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahinit, si dhe vëllait të tij, Skender Shahini.

KALLXO.com kishte siguruar aktgjykimin përmes së cilit shpjegohen arsyet e vërtetimit të aktgjykimit të marrë nga shkalla e parë.

Agim Shahini dhe Skender Shahini ishin shpallur fajtorë për veprën penale dëmtimi i kreditorëve, si dhe për veprën penale mashtrimi, për të cilat secilit veç e veç i është shqiptuar dënim unik me burg të kushtëzuar në kohëzgjatje prej 18 muajve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit në afat prej 2 vjetësh nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Shahini kanë mashtruar të dëmtuarën, kredidhënësen “TEB Bank”, me seli në Vushtrri, kështu duke mos e përmbushur detyrimin ndaj të dëmtuarës dhe duke i shkaktuar dëm në shumë prej 253.000,00 euro.

https://kallxo.com/apeli-verteton-denimin-ndaj-agim-shahinit-dhe-vellait-te-tij-dokument/

Kallxo.com