Gjykata Speciale nis shqyrtimin e aktakuzave të para

Prokurori i Specializuar ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara.

Për këtë arsye, sipas një komunikate të Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.

Në lidhje me këtë, kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren për Caktimin e Gjykatësve të Dhomave të Specializuara nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar.

Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, thuhet në komunikatë.

Një numër i madh i ish-luftëtarëve të UÇK-së janë intervistuar nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e të dyshuarve dhe të dëshmitarëve.

Në mesin janë edhe drejtues të UÇK-së, përfshirë Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, Rexhep Selimin etj.

Thirrja nga Dhomat e Specializuara për tu intervistuar në cilësinë e të dyshuarit ishte motiv për Haradinajn që të jepte dorëheqje nga pozita e shefit të Qeverisë së Kosovës.

Të ftuar të tjerë por edhe persona që tashmë janë intervistuar në Dhomat e Specializuara janë edhe Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Remzi Shala, Nazif Mehmeti, Sokol Dobruna, Safet Syla, Sylejman Selimi, Lahi Brahimaj, Blerim Kuçi, Sebajdin Cena, Naim Maloku, Sokol Bashota, Bislim Zyrapi, Raimonda Rreci, Flamur Hoti e Ramiz Qeriqi.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.