Gjykimi për naftën jocilësore | Foto: KALLXO.com
Gjykata sot shpall aktgjykimin në gjyqin për furnizim të shkollave me naftë jocilësore
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet që të shpallet aktgjykimi në rastin e Kujtim Bucaliut dhe kompanisë HIB Petrol Sh.P.K, për mashtrim të Komunës së Prishtinës për furnizimin e kësaj të fundit me naftë jocilësore.
Sipas aktakuzës, Kujtim Bucaliu si personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, në intervalin kohor prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, pas nënshkrimit të kontratës kornizë publike e lidhur në mes HIB Petrol Sh.P.K dhe të dëmtuarës Komunës së Prishtinës për furnizimin e 44 institucioneve edukative-arsimore brenda territorit te Komunës se Prishtinës me naftë për ngrohje dhe gjeneratorë, tani i pandehuri, personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike.
Në aktakuzë thuhet se personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, gjatë ekzaminimit te kontratës se lartcekur, pasi paraprakisht ka siguruar vajra gazore për ngrohje nga burime të paidentifikuara, me anë të paraqitjes se rreme të fakteve përmes fletëpagesave lidhur me përmbajtjen dhe cilësinë e naftës sipas specifikacioneve të kontratës së lartcekur e mashtron dhe e nxit Komunën e Prishtinës që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, duke i ofruar produktin e naftës që nuk përkon me kriteret dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës të paraparë për vlerën e konformitetit të lëndës djegëse, në këtë mënyrë duke kaluar deri në 80 herë më shumë prezencën e sulfurit në naftë duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe të dëmtuarës – Komunës së Prishtinës.
Me anë të këtyre veprimeve, Kujtim Bucaliu akuzohet për veprën penale të mashtrimit si dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K për mashtrim të blerësve.
Ky gjykim është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.
KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.