Gjykimi i ish-zyrtarëve të bankës NLB - Foto: KALLXO.com

Gjykata shpalli fajtorë tre ish-zyrtarë të Bankës NLB për vjedhjen e klientëve

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu dhe Besnik Delijaj, ish-zyrtarë të ‘NLB Banka’ janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës për akuzat me të cilat ngarkoheshin nga Prokuroria, kurse i akuzuari i katër Maliq Behluli Gjykata mori aktgjykim lirues.

Gjykata, Burim Ademajt i dha  dënim unik me 3 vite e 6 muaj burgim.

Ilir Kryeziun  e dënoi me dënim unik 3 vite burgim, dhe Besnik Delijaj me dënim unik me 2 vite burgim.

Kurse Maliq Behlulin  për veprën penale përvetësim në detyrë, është marrë aktgjykim lirues pasi që sipas kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, nuk është vërtetuar që i ka kryer veprat për të cilat akuzohej.

Në krahasim me aktgjykim e vitit të kaluar ku këta tre të akuzuar  ishin shpallur fajtorë, nga po e njëjta Gjykatë kësaj radhe vetëm gjoba u është  hequr të akuzuarëve

Katër ish-punonjësit e bankës “NLB” akuzohen se kanë përvetësuar shuma të mëdha parash në mënyrë të kundërligjshme nga klientët e kësaj banke.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, e Besnik Delijaj akuzoheshin se në vazhdimësi kanë shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përvetësuar kështu shuma të mëdha të parave nga klientë të ndryshëm që kanë deponuar-afatizuar paratë në bankë.

Burim Ademaj, akuzohej se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të bankës NLB në Suharekë,  ka kryer veprat penale përvetësim në detyrë dhe mashtrim.

Ilir Kryeziu në cilësinë e arkëtarit – këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së NLB në Suharekë, ngarkohej me veprën penale përvetësimi në detyrë.

Ndërsa Maliq Behluli dhe Besnik Delilaj akuzohej se sa ishin në cilësinë e arkëtarit të ekspoziturës së NLB në Suharekë, kishin kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.

Pas ri-cilësimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë më vonë edhe Miradije Morina i ishte bashkangjitur aktakuzës duke u akuzuar për veprën penale në vazhdimësi përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Por gjatë fjalës përfundimtare prokurori vendosi që të heq dorë nga ndjekja penale sa i përket të akuzuarës Morina me arsyetimin se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet se e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në vitin 2018, sepse sipas kësaj gjykate aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, diapozitivi i aktgjykimit ishte i paqartë dhe kontradiktor me vetveten dhe mbi arsyet për të cilat mbështetet.

 

https://kallxo.com/rigjykimi-i-ish-zyrtareve-te-nlb-se-palet-dhane-fjalen-perfundimtare/

 

Në seancën e kaluar të datës  5 shkurt pas kthimit të lëndës në rigjykim dy të akuzuarit kishin mbetur në tërësi pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë por kishin kërkuar që gjykata t’ua heq dënimet me gjobë.

Ndryshe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me 22 janar të vitit 2018 të akuzuarit Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, dhe Besnik Delijaj janë shpallur fajtorë.

Burim Ademaj ishte dënuar me dënim unik prej 3 vite 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 8 mijë euro.

Ilir Kryeziu me dënim unik prej 3 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 7 mijë euro, dhe Besnik Delijaj ishte dënuar me 2 vjet burgim.

Kurse të akuzuarin Maliq Behluli Gjykata e shkallës së parë e kishte liruar nga akuza, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa  në seancën e 18 janarit 2018, në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i shtetit Feti Tunuzliu ishte tërhequr nga ndjekja penale kundër Miradije Morinës, me arsyetimin se në rastin e saj, në asnjë rrethanë nuk ishte vërtetuar se ajo kishte dashur apo dëshiruar kryerjen e veprës penale për të cilën ishte akuzuar, prandaj, ndaj Morinës ishte shpallur aktgjykim refuzues.

Burim Ademaj dhe  Ilir Kryeziu kishin arritur marrëveshja për pranim të fajësisë me prokurorin e shtetit Fetih Tunuzliu.