Seancë nga gjykimi i 'Syri i Popullit".
Gjykata se pranon përjashtimin e gjyqtarëve te ‘Syri i Popullit’
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi nuk ka aprovuar kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues në rastin e njohur si ‘Syri i Popullit.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e kryetares së Gjykatës së Prishtinës lidhur me këtë çështje.
Këtë kërkesë e kishin bërë avokatët mbrojtës të Sadri Rambajës, Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Rexhep Toplanës dhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Azem Vllasi.
Kjo kërkesë u bë pas seancës së datës 11 korrik ku prapa dyerve të mbyllura për publikun, kishte dëshmuar Presidenti, Hashim Thaçi. Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Naime Jashanica, kryetare, Vesel Ismaili dhe Valbona Musliu Selimaj, anëtarë.
Sipas kërkesës së avokatëve “gjatë shqyrtimit gjyqësor të datës 11 korrik, ku duhej të vazhdohej me mbrojtjen e të akuzuarit Sadri Rambaja, pa paralajmërim në sallë paraqitet dëshmitari Hashim Thaci, i trajtuar si i dëmtuar”.
“Ai edhe pse ishte i njoftuar se ka të drejtë të parashtroj pyetje indirekte të akuzuarit, ai për asnjë moment nuk e respektonte njoftimin e gjykatës. Pavarësisht se ishin bërë vërejtje nga ana e mbrojtjes për shkeljet e tilla ligjore, gjykata i lejonte dëshmitarit parashtrimin e këtyre pytjeve, me njëose dy përjashtime.”, thuhet në kërkesë.
Lidhur me këtë kryetarja e trupit Gjykues, Naime Jashanica, në bazë të vendimit ka deklaruar se pretendimet e mbrojtësve të parashtruar në kërkesë nuk qëndrojnë.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyci, ka refuzuar këtë kërkesë të bërë nga mbrojtësit e rastit duke e konsideruar si të pabazuar. Ajo ka vlerësuar se nuk është prezantuar ndonjë rrethanë e cila do të arsyetonte përjashtimin e trupit gjykues nga procedimi dhe vendosja e kësaj çështje penale.
“Ndërsa sa i përket pretendimeve në kërkesë lidhur me shkeljet procedurale, të njëjtat pretendime nuk janë objekt shqyrtimi për përjashtimin e gjyqtarëve nga procedimi dhe vendosja e një çështje konkrete, ngase të njëjtat mund të atakohen me ankesë kundër vendimit përfundimtar” thuhet në vendim.
Kallxo.com ka raportuar më parë për kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues që e kishin bërë mbrojtësit.
https://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-i-trupit-gjykues-dhe-prokurorit-ne-rastin-syri-i-popullit/