Pamje nga një seancë e mëhershme e gjykimit të aktivistëve të VV-së për sulmin në Kuvend - Foto: KALLXO.com

Gjykata S'e Hedh Aktakuzën në Rastin e Aktivistëve të VV-së

Gjykata ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes së të akuzuarve për sulmin kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Tomë Gashi, avokat i njërit prej të akuzuarve të këtij rasti, Frashër Krasniqi.

“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar këtë aktvendim të Gjykatës Themelore”, tha avokati Gashi.

Gjithashtu, Gjykata ua ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj katër të akuzuarve – aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje: Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi.

Ndërsa, Vetëvendosje e quajtur të padrejtë këtë vendim të Gjykatës Themelore.

“Ky vendim i padrejtë i Gjykatës Themelore të Prishtinës që privon nga liria katër aktivistët tanë, po ia mundëson zgjatjen e jetës një procesi, i cili ende po mbijeton pa asnjë provë të vlefshme”, thuhet në reagimin e VV-së.

Sipas VV-së, ky proces është politik.

“Kjo drejtësi e kapur e cila punën e saj e kryen sipas porosive të pushtetit, në vazhdimësi është përqendruar në luftimin e opozitës, dhe ka mbyllur sytë para krimit të organizuar dhe kriminelëve që qëndrojnë mbi ligjin”, thuhet më tutje në reagim.

Aktivistët e Vetëvendosjes u arrestuan më 30 gusht 2016.

http://kallxo.com/gjashte-te-arrestuar-per-sulmin-ne-kuvend/

Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Kallxo.com ka raportuar na vazhdimësi lidhur me këtë rast ndërsa dosjen e rastit mund ta gjeni në këtë link.