Gjykimi për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Gjykata Refuzon Lirimin e Aktivistëve

Katër aktivistët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për sulmin e nëntorit të vitit të kaluar me mjet shpërthyes në ndërtesën e Kuvendit do të vazhdojnë të qëndrojnë në arrest shtëpiak.

Lirimin nga kjo masë sigurie në emër të avokatëve të Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Egzon Halitit e Atdhe Arifit e kërkoi në seancën e sotme avokati Tomë Gashi.

Katër aktivistëve të VV-së arresti shtëpiak para katër ditësh iu vazhdua për dy muaj, ndërsa Tomë Gashi këtë vendim të gjykatës e cilësoi politik.

Kërkesën e Gashit e kundërshtoi prokurori Abdurrahim Islami, duke e cilësuar tërësisht të pabazuar.

Islami tha se avokati Gashi po e mashtron opinionin publik kur po thotë se mbrojtja, gjykata dhe prokuroria e dinë që aktakuza ndaj katër aktivistëve është politike.

“As një për qind e aktakuzës nuk është politike dhe askush nuk mundet me më detyru me vepru diçka politike, por vetëm në bazë të provave të shkresave të lëndës dhe asgjë tjetër”, tha Islami.

Pastaj gjykata vendosi ta refuzojë kërkesën për lirim nga arresti shtëpiak të të akuzuarve për terrorizëm.

Seanca e radhës u caktua më 30 mars.

Seanca fillestare e këtij gjykimi u zhvillua më 25 janar, ndërsa atë ditë të akuzuarit u veshëm me bluza me fotografitë e Astrit Deharit.

Më 25 janar u kërkua përjashtimi i prokurorit dhe Prokurorisë Speciale nga ky gjykim, por një kërkesë e tillë u refuzua.

http://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-prokurorise-nga-gjykimi-per-sulmin-ne-kuvend/