Gjykata refuzon kërkesën e Mejdi Bektashit për largimin e raportit që pretendon se ai ka kryer plagjiaturë

Gjykata e Prishtinës sot i ka dorëzuar aktvendimin organizatës ADMOVERE, përmes të cilit është refuzuar si e pabazuar kërkesa e Mejdi Bektashit për caktimin e masës së sigurisë, me të cilën, ai kishte kërkuar që kjo organizatë ta censurojë raportin që flet për pretendimet mbi plagjiaturën e tij.

Më 21 shtator të vitit të kaluar, ADMOVERE kishte publikuar raportin «STAFI AKADEMIK I UP-SË – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë».

Sipas organizatës, një prej qëllimeve të këtij raporti ishte edhe radhitja e të gjitha rasteve të plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat ishte raportuar në media përgjatë viteve.

Mirëpo, pas publikimit të këtij raporti, më 1 tetor të vitit 2018, profesori i Fakultetit Juridik, Mejdi Bektashi, kishte paditur organizatën për shpifje, ku Gjykata e Prishtinës më 8 nëntor 2018, kishte aprovuar masën e sigurisë, përmes së cilës, ishin detyruar ta tërheqin pjesën e raportit që flet për këtë profesor.

Gjykata e Apelit më 28 shkurt të këtij viti kishte marrë vendim për prishjen e aktvendimit të Gjykatës Themelore për caktimin e masës së sigurisë, të datës 8 nëntor 2018, dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje te Gjykata Themelore.

Tutje Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e ADMOVERE-s ishte e bazuar, dhe kishte konstatuar se aktvendimi për caktimin e masës së sigurisë ka shkelje esenciale, të dispozitave të procedurës kontestimore, dhe se ishte bërë zbatim i gabuar i të drejtës materiale dhe se nuk ishte vërtetuar drejtë dhe në masë të plotë gjendja faktike.

Në anën tjetër, më 26 mars dhe 24 prill janë mbajtur seancat për rivendosje në lidhje me kërkesën e Bektashit, për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Prishtinës.

Si rrjedhojë, më 3 maj, Gjykata e Prishtinës e kishte refuzuar si të pabazuar propozimin e Mejdi Bektashit për caktimin e masës së sigurisë.

Ndërkohë që organizata ADMOVERE ka deklaruar se vendimin e Gjykatës e shohin si dëshmi se gjykatat në Kosovë janë të gatshme të angazhohen për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

‘Admovere’ pretendon se Gjykata kreu tri shkelje ligjore në rastin e ‘Plagjiaturës së stafit akademik’

Profesori Mejdi Bektashi pretendon se libri i tij nuk është plagjiaturë

Profesori universitar padit për shpifje ‘ADMOVERE’ pas akuzave për plagjiaturë